Vetëm dy javë pasi u nda nga Vëllaznimi, Leotrim Krasniqi ka gjetur menjëherë skuadrën e re, duke marrë drejtimin e Dinamo Ferizajt.
Klubi ferizajas ka njoftuar se Krasniqi është emëruar kryetrajner i skuadrës së parë, duke rikthyer kështu në klub një trajner që e njeh mirë ambientin dhe futbollin ferizajas.
Krasniqi vjen te Dinamo pas angazhimit të fundit te Vëllaznimi, ndërsa gjatë karrierës së tij ka drejtuar edhe skuadra si Besa e Pejës, Drenasi dhe Vjosa, përveç se ka qenë pjesë e Dinamos së Ferizajt.
Emërimi i tij vjen vetëm pak ditë pasi Dinamo Ferizaj ndërpreu bashkëpunimin me Astrit Fazliun. Klubi tashmë ka vendosur t’ia besojë skuadrën Krasniqit, me synimin për të vazhduar sezonin me rezultate më të mira.
“FC Dinamo Ferizaj njofton se Leotrim Krasniqi është emëruar kryetrajner i skuadrës së parë. Krasniqi rikthehet në klub pas angazhimit të tij të fundit te Vëllaznimi, ndërsa më herët ka qenë pjesë e Besës së Pejës, Drenasit, Vjosës, Lirisë dhe e skuadrës sonë”, thuhet në njoftimin e klubit.
Dinamo Ferizaj i ka uruar Krasniqit suksese në detyrën e re dhe punë të mbarë në vazhdim të sezonit. /Telegrafi/