Borxhi i jashtëm bruto i Kroacisë arriti në 66.7 miliardë euro në fund të tremujorit të parë të vitit 2026, duke shënuar një rritje prej 12.7 për qind, ose 7.5 miliardë euro, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në raport me fundin e vitit 2025, borxhi i jashtëm bruto u rrit me 7.1 për qind, ose 4.4 miliardë euro. Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), borxhi i jashtëm arriti në 70.5 për qind.
Borxhi i jashtëm i sektorëve të ndryshëm, pa përfshirë Bankën Kombëtare Kroate, përbën 82.6 për qind të borxhit të përgjithshëm bruto.
Ky borxh u rrit me 8.1 për qind, ose 4.1 miliardë euro, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2025, shkruan index.hr.
Borxhi i bankës qendrore arriti në 11.6 miliardë euro, duke u rritur me 3.4 miliardë euro, ose 41.8 për qind, brenda një viti.
Pjesa e borxhit të bankës qendrore në total u rrit nga 15.4 për qind në fund të dhjetorit 2025 në 17.4 për qind në fund të marsit 2026.
Ndërkohë, borxhi i sektorit të përgjithshëm shtetëror arriti në 20.5 miliardë euro, që paraqet një rritje prej 2 miliardë eurosh, ose 10.7 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. /Telegrafi/