Gati 300 qen u mblodhën në një park ujor në Nevada të SHBA-së, në një aktivitet që theu rekordin botëror të Guinness-it për numrin më të madh të qenve të pranishëm në një festë në pishinë.
Në aktivitetin “Doodlepalooza 2026”, të organizuar nga “We Love Doodles”, morën pjesë 296 qen të racave të përziera me pudëlin, së bashku me familjet e tyre.
Ata kaluan ditën duke u argëtuar dhe duke notuar në pishinën me valë, zonat me spërkatje dhe hapësirat e cekëta të ujit në parkun ujor Cowabunga Canyon Vegas.
– YouTube www.youtube.com
Një përfaqësues i Guinness World Records ishte i pranishëm për të konfirmuar rekordin e ri. Rekordi i mëparshëm ishte vendosur në maj në një park në Florida, ku kishin marrë pjesë 277 qen në një aktivitet të organizuar nga kompania Chewy.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të Javës Kombëtare të Qenve dhe shërbeu edhe për mbledhjen e fondeve për organizatën Doodle Rescue USA.
Danielle Dunker nga Doodle Rescue USA tha se rekordi u takon të gjithë qenve dhe njerëzve që morën pjesë, duke theksuar se aktiviteti ndihmon në rritjen e ndërgjegjësimit për qentë që kanë nevojë për shpëtim, familje kujdestare dhe shtëpi të përhershme. /Telegrafi/