Koloneli Dritan Demiraj ka paralajmëruar publikimin e një tjetër skandali që, sipas tij, pritet të bëhet publik në 3-4 javët e ardhshme, në një kohë kur drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni, raportohet se po hetohet nën dyshimin për nxjerrje të informacionit të klasifikuar.
Duke folur në emisionin “Off the Record” me Andrea Dangllin në A2 CNN, Demiraj deklaroi se zhvillimet e fundit në institucionet e sigurisë janë tregues i një situate më të gjerë, ndërsa komentoi edhe ndryshimet e propozuara nga kryeministri Edi Rama në Kodin e Procedurës Penale.
Sipas Demirajt, ndryshimet ligjore synojnë të ushtrojnë presion ndaj drejtësisë, në mënyrë që të mos publikohen raste që ai i cilësoi si “skandale të tmerrshme të keqqeverisjes”.
“Agjencitë e inteligjencës në shumicën e rasteve flasin duke mos folur, por flasin me veprime. Shumë shpejt, në 3-4 javët e ardhshme, siç e kemi paralajmëruar dhe në rastin e Vlorës, do të paraqiten. Prandaj kryeministri ka nxituar të ofrojë këtë ligj për të paralajmëruar dhe kërcënuar drejtësinë që të mos guxojë të nxjerrë skandalet e tmerrshme të keqqeverisjes së tij, duke i treguar popullit mënyrën si keqqeveriset dhe partnerëve se kush i drejton strukturat e sigurisë”, tha Demiraj.
Ai e cilësoi rastin e Vlora Hysenit si “një kambanë alarmi” dhe përgjegjës për situatën bëri kryeministrin Edi Rama.
Sipas Demirajt, e njëjta situatë nuk kufizohet vetëm te SHISH-i, por shtrihet edhe në institucione të tjera shtetërore.
“Që nga emërimet e Tahirit që kanabizoi Shqipërinë, emërimi i Mimi Kodhelit që ishte pjesëmarrëse e drejtpërdrejtë në trafikun e drogës me mbylljen e radarëve. Kjo bëhet vetëm përmes emërimit të njerëzve joprofesionistë”, deklaroi ai.
Demiraj përmendi edhe Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Brendshme dhe sektorin e energjetikës, ndërsa paralajmëroi zhvillime të tjera në sektorin e shëndetësisë.
“E njëjta situatë është në Ministrinë e Mbrojtjes, në Ministrinë e Brendshme, Energjetikës, shumë shpejt edhe të Shëndetësisë me skemat kriminale të KAYO-s, ku trafikantëve ndërkombëtarë u është dhënë çdo sektor strategjik i Shqipërisë duke shfrytëzuar çdo mundësi që u japin nevojat e tenderimit të Shqipërisë në funksion të qëndrimit të Ramës në pushtet”, tha Demiraj.
Ai deklaroi se, sipas tij, situata paraqet rreziqe të mëdha për sigurinë e vendit dhe pretendoi se strukturat e sigurisë janë nën kontrollin e krimit të organizuar.
“Rreziqet dhe kërcënimet janë të jashtëzakonshme, çka ka bërë të ulërasin shërbimet partnere dhe të fërkojnë duart shërbimet e tjera”, u shpreh Demiraj.
Deklaratat e kolonelit Dritan Demiraj janë bërë në emisionin “Off the Record” në A2 CNN.
Akuzat e tij ndaj zyrtarëve dhe institucioneve shqiptare janë pretendime të tij dhe, për t’u paraqitur si fakte, kërkojnë verifikim dhe konfirmim nga institucionet apo burime të pavarura.