Cristiano Ronaldo ka reaguar pas largimit të papritur nga grumbullimi i Kombëtares së Portugalisë, duke bërë të ditur se në të ardhmen do t’i shpjegojë arsyet që e shtynë të marrë këtë vendim.
Kapiteni portugez u largua të mërkurën nga grumbullimi i Kombëtares në Kopenhagë, në një zhvillim që erdhi pas deklaratave të përzgjedhësit Jorge Jesus rreth aktivizimit të tij në ndeshjet e ardhshme.
Pas largimit, Ronaldo ka bërë një postim në rrjetet sociale, ku ka sqaruar se vendimi është marrë pas konferencës për media të trajnerit dhe një bisede me presidentin e Federatës Portugeze të Futbollit, Pedro Proença.
“Pas konferencës për media të trajnerit të Kombëtares dhe pas një bisede me presidentin e Federatës Portugeze të Futbollit, kam vendosur të largohem nga grumbullimi i Kombëtares”, ka shkruar Ronaldo.
Ylli portugez nuk ka dhënë detaje të tjera rreth arsyeve të largimit, por ka paralajmëruar se do të flasë më gjerësisht për këtë çështje në të ardhmen.
“Në kohën e duhur do t’u tregoj të gjithë portugezëve arsyet që më shtynë të largohem nga Kombëtarja, së cilës gjithmonë i jam përkushtuar”, ka deklaruar kapiteni i Portugalisë.
Në fund të reagimit të tij, Ronaldo ka falënderuar bashkëlojtarët dhe u ka uruar sukses në ndeshjet e ardhshme.
“Tani është koha t’i uroj suksese Portugalisë dhe të gjithë bashkëlojtarëve të mi, pa përjashtim”, përfundoi Ronaldo.
Largimi i tij ka ardhur në një moment kur Portugalia është duke u përgatitur për ndeshjet e ardhshme të Ligës së Kombeve, ndërsa deklaratat e fundit të Jorge Jesusit kanë shtuar vëmendjen rreth situatës së kapitenit. /Telegrafi/