Cesc Fabregas vazhdon ta mbajë gjallë ëndrrën për të drejtuar Barcelonën, edhe pse aktualisht po shkruan një kapitull të ri në karrierën e tij si trajner te Como.
Trajneri spanjoll e ka udhëhequr klubin italian drejt sukseseve historike. Ai ndihmoi Comon të rikthehej në Serie A pas 21 vitesh mungesë, ndërsa sezonin e kaluar e drejtoi skuadrën drejt kualifikimit të parë historik në Ligën e Kampionëve, duke u bërë një nga figurat më të rëndësishme në historinë e klubit.
Fabregas, 39 vjeç, ka kontratë me Comon deri në qershor të vitit 2028. Megjithatë, marrëveshja përmban një klauzolë të veçantë që i lejon atij të largohet me kushte shumë të favorshme financiare në rast se merr një ofertë nga njëri prej ish-klubeve të tij: Barcelona, Arsenali ose Chelsea.
Sipas gazetarit të Sky Sports, Gianluca Di Marzio, ishte vetë Fàbregas ai që këmbënguli që kjo pikë të përfshihej në kontratë, duke i lënë vetes mundësinë për t’u larguar nëse njëra prej tri skuadrave ku ka luajtur më herët hap dyert për të.
Pavarësisht kësaj, spanjolli po shijon një periudhë stabiliteti dhe kënaqësie te Como. Sipas gazetës spanjolle Marca, Fabregas ka refuzuar disa oferta gjatë verës dhe e ka mbajtur të hapur derën vetëm për tri klubet që përfshihen në kushtet e veçanta të kontratës së tij.
Drejtimi i Barcelonës mbetet një nga ambiciet e mëdha të Fabregasit. Megjithatë, realizimi i kësaj ëndrre nuk duket afër për momentin, pasi Hansi Flick vazhdon të jetë në krye të skuadrës katalunase.
Barcelona e rinovoi kontratën me trajnerin gjerman në maj, duke e zgjatur atë deri në qershor të vitit 2028, me mundësi vazhdimi edhe për një sezon tjetër.
Marrëveshja u bë për një periudhë të kufizuar, pasi Flick preferon kontrata afatshkurtra, edhe pse presidenti Joan Laporta kishte dëshiruar ta lidhte atë me klubin për një periudhë më të gjatë./Telegrafi/