Kuvendi Komunal i Obiliqit ka miratuar Planifikimin e Buxhetit për vitin 2027, në vlerë prej 17,031,570 eurosh.
Sipas njoftimit të Komunës së Obiliqit, buxheti u votua me 12 vota për, ndërsa tetë asamblistë abstenuan.
Miratimi i buxhetit ishte një nga pikat kryesore të rendit të ditës në mbledhjen e radhës të Kuvendit Komunal, të cilën e hapi kryesuesi Sami Ahmeti.
Përveç buxhetit për vitin 2027, Kuvendi shqyrtoi edhe parashikimet buxhetore për vitet 2028–2029.
Në mbledhje u shqyrtuan edhe propozim-vendimi për caktimin e normave tatimore për vitin 2027, regjistrimi i pronës shoqërore “Shkolla Fillore Vllaznimi” në emër të Komunës së Obiliqit, si dhe Raporti i Performancës Komunale për vitin 2025.
Në rend dite ishin edhe raporti për monitorimin e kontratave të pronave të dhëna në shfrytëzim, Plani i Veprimit për Transparencë Komunale 2026–2030 dhe Rregullorja për Transparencë e Komunës së Obiliqit. /Telegrafi/