Bashkimi Evropian po përgatitet të zgjerojë ndjeshëm misionin e tij detar në Mesdhe, duke i dhënë një rol më të madh në përballjen me flotën ruse “në hije”, mbrojtjen e infrastrukturës kritike nënujore dhe forcimin e bashkëpunimit detar me vendet e Afrikës së Veriut.
Operacioni EUNAVFOR MED IRINI, i krijuar fillimisht në vitin 2020 për zbatimin e embargos së armëve ndaj Libisë, pritet të zgjatet deri më 31 mars 2029. Sipas draft-vendimit të Këshillit të BE-së, mandati i ri do të shoqërohet me një buxhet prej rreth 16.88 milionë eurosh, transmeton Telegrafi.
Ndryshimi vjen pasi misioni ka nisur tashmë të përfshihet në monitorimin e anijeve të dyshuara se i përkasin flotës ruse “në hije” – një rrjet anijesh që Moska e përdor për të transportuar naftë dhe për të anashkaluar disa prej kufizimeve dhe sanksioneve perëndimore.
Në muajt e fundit, forcat e IRINI-t kanë kryer disa kontrolle ndaj tankerëve të dyshuar. Në gusht, marina italiane, në kuadër të operacionit, hipi në një tanker në ujërat ndërkombëtare pranë Pantellerias për të verifikuar flamurin dhe dokumentacionin e anijes.
Në fund të gushtit, forcat e BE-së kontrolluan edhe një tjetër tanker të dyshuar, MV Sun, në një operacion që sipas shefes së diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, ishte kontrolli i gjashtë i një anijeje të dyshuar të flotës “në hije” nga operacionet evropiane në muajt e fundit.
Me mandatin e ri, kufizimi i aktiviteteve të flotës ruse “në hije” do të bëhej zyrtarisht një prej detyrave të IRINI-t. Dokumenti parashikon që operacioni të kontribuojë në këtë objektiv duke respektuar Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit dhe rregullat e tjera të së drejtës ndërkombëtare.
Një tjetër prioritet do të jetë mbrojtja e infrastrukturës kritike nënujore, përfshirë kabllot e fibrave optike dhe tubacionet nën det. Operacioni do të mund të testojë edhe teknologji të reja për monitorimin dhe mbrojtjen e infrastrukturës detare.
IRINI do të vazhdojë gjithashtu të mbikëqyrë aktivitetet e paligjshme në Mesdhe, përfshirë kontrabandën e emigrantëve dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Misioni përdor mbledhjen e inteligjencës dhe patrullimet ajrore për të identifikuar dhe monitoruar rrjetet e kontrabandës në zonën e tij të operimit.
Pjesë e mandatit do të mbeten edhe zbatimi i embargos së OKB-së ndaj Libisë, monitorimi i eksporteve të paligjshme të naftës nga Libia dhe trajnimi i institucioneve libiane të sigurisë detare dhe kërkim-shpëtimit.
BE-ja synon ndërkohë ta përdorë IRINI-n edhe si platformë për bashkëpunim detar rajonal. Dokumenti përmend mundësinë e ushtrimeve dhe aktiviteteve të diplomacisë detare me vende të tjera të interesuara, përfshirë Egjiptin, Tunizinë dhe Libanin.
Ambasadorët e vendeve anëtare kanë dhënë tashmë dritën jeshile për mandatin e ri. Miratimi formal pritet më 9 tetor, pas së cilës vendimi do të publikohet në Fletoren Zyrtare të BE-së.
Kështu, një mision që nisi kryesisht për të monitoruar embargon e armëve ndaj Libisë po shndërrohet gradualisht në një instrument më të gjerë të sigurisë detare të BE-së në Mesdhe – me fokus te flota ruse “në hije”, infrastruktura nënujore, kontrabanda dhe bashkëpunimi me vendet e rajonit. /Telegrafi/