KRU “Drini i Bardhë” u ka bërë thirrje banorëve të fshatrave Radac dhe Novosellë, veçanërisht atyre të lagjeve Berdynaj, Hazbataraj dhe Pelaj, që të tregojnë kujdes me kanalet e ujitjes dhe infrastrukturën përcjellëse.
Përmes një njoftimi, kompania ka paralajmëruar se dëmtimi i kanaleve, ndërhyrjet e paautorizuara dhe veprimet që pengojnë funksionimin e tyre mund të shkaktojnë dëme në sistemin e ujitjes dhe pronat bujqësore.
“KRU ‘Drini i Bardhë’ apelon që këto hapësira të ruhen dhe të mos ndërhyhet në infrastrukturën e ujitjes. Për çdo dëmtim apo ndërhyrje të kundërligjshme, do të ndërmerren masat përkatëse ligjore ndaj personave përgjegjës”, thuhet në njoftim.
Kompania ka vendosur gjithashtu një afat prej 10 ditësh për largimin e çdo kyçjeje ilegale ekzistuese në kanalet e ujitjes.
“Pas përfundimit të këtij afati, KRU ‘Drini i Bardhë’ do të ndërmarrë veprimet për çkyçjen e tyre dhe rastet do t’i denoncojë pranë organeve kompetente për ndjekje penale”, ka njoftuar kompania.
KRU “Drini i Bardhë” ka kërkuar bashkëpunimin e banorëve për ruajtjen e infrastrukturës së ujitjes, e cila, sipas kompanisë, është në shërbim të fermerëve dhe komunitetit. /Telegrafi/