KRU “Hidrodrini” ka përsëritur thirrjen për konsumatorët e B.T. “Jarina” në Pejë që sa më shpejt të realizojnë kyçjet brenda shtëpiake në sistemin e ri të ujësjellësit.
Sipas njoftimit, në këtë zonë është përfunduar një projekt investiv për ndërtimin e sistemit të ri furnizues, përmes të cilit gypat e vjetër prej azbesti po zëvendësohen me gypa të rinj prej polietileni.
KRU “Hidrodrini” ka bërë të ditur se gypi i ri tashmë është vendosur përgjatë rrugës publike, ndërsa gypi i vjetër, i cili në shumicën e rasteve kalonte nëpër prona private, do të ndërpritet përfundimisht.
Sipas kompanisë, investimi pritet të ndikojë në rritjen e cilësisë, sasisë dhe sigurisë së furnizimit me ujë.
Kompania ka theksuar se kyçjet brenda shtëpive dhe oborreve janë përgjegjësi e pronarëve të pronave, ndërsa ekipet teknike do të jenë vazhdimisht në terren për monitorimin e procesit dhe mbarëvajtjen e punimeve.
KRU “Hidrodrini” ka kërkuar bashkëpunim dhe mirëkuptim nga qytetarët gjatë realizimit të këtij procesi. /Telegrafi/