Legjenda e Manchester United, Roy Keane, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të fundit për Manchester Cityn, duke thënë se lojtarët e klubit duhet t’i hedhin medaljet e fituara në kosh.
Reagimi i ish-mesfushorit vjen pasi një komision i pavarur e shpalli Manchester Cityn fajtor për shkelje të rënda të rregullave financiare të Ligës Premier gjatë një periudhe nëntëvjeçare. Liga Premier konfirmoi se klubi kishte përdorur marrëveshje fiktive komerciale për të fryrë artificialisht të ardhurat dhe për të ulur kostot me më shumë se 900 milionë euro.
Komisioni konstatoi gjithashtu se City kishte paraqitur pasqyra financiare të pasakta dhe kishte fshehur gjendjen reale financiare nga auditorët dhe rregullatorët. Klubi është shpallur fajtor për të gjitha akuzat që lidhen me shkeljet serioze financiare, ndërsa tre nga katër shkeljet për mosbashkëpunim me hetimin gjithashtu u konfirmuan.
Gjatë periudhës së përfshirë në çështje, Manchester City fitoi tetë trofe, përfshirë tre tituj të Ligës Premier, tre Kupa të Ligës, një FA Cup dhe një Community Shield.
“E dinin se do të lëndonin shumë njerëz, por gjithsesi e bënë. Nëse do të isha lojtar, do t’i hidhja 100 për qind ato medalje në kosh”.
“Sigurisht që do ta bëja, sepse është mashtrim. Ata i fituan në fushë, sepse mashtrimi po ndodhte”, shtoi legjenda e Manchester United.
Keane vlerësoi se situata mund ta bëjë shumë të vështirë për lojtarët, trajnerët dhe vetë klubin që të ruajnë standardet e tyre, duke pasur parasysh akuzat ndaj drejtimit të klubit.
Në të njëjtën linjë ishte edhe legjenda e Arsenalit, Ian Wright, i cili kritikoi drejtuesit e Manchester Cityt dhe mënyrën se si situata ishte menaxhuar ndaj lojtarëve.
“Atyre u thanë se nuk po ndodhte asgjë e keqe. Nëse je lojtar, diçka nuk është në rregull. Është diçka krejt e paprecedentë dhe e trishtueshme për të gjithë. Pronarët dhe ajo që kanë bërë është e tmerrshme”, deklaroi Ëright.
Manchester City ka mohuar shkeljet dhe ka bërë të ditur se synon të apelojë vendimin, ndërsa sanksionet përfundimtare ende nuk janë përcaktuar./Telegrafi/