Nga: Josh McConkey / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com
Pas 24 vjetëve në shërbim ushtarak si oficer i dekoruar i Ushtrisë dhe veteran i Luftës së Irakut, si komandant në Rezervën e Forcave Ajrore dhe tani duke shërbyer në menaxhimin e emergjencave me Forcën e Përbashkët Operative – Rajoni i Kryeqytetit Kombëtar, kam mësuar se pajisjet janë të mira sa edhe aftësia e tyre për të funksionuar në kushte reale.
Në Arktik, një çizme që dështon nuk është thjesht bezdi. Mund të bëhet çështje sigurie dhe, potencialisht, problem i gatishmërisë operacionale.
Kjo është arsyeja pse raporti i fundit i Newsweek-ut për marinsat të cilët përjetuan dështime të çizmeve gjatë stërvitjes në mot të ftohtë në Norvegji, meriton një vëmendje serioze. Marinsat stërviteshin përpara Reagimit të Ftohtë 2026 [Cold Response 2026] të NATO-s raportuan se në çizmet e tyre po krijoheshin vrima, gomat po shkëputeshin dhe uji i akullt po hynte brenda. Disa marinsa duhej të tërhiqeshin nga stërvitja, ndërsa inspektimi pas stërvitjes zbuloi qindra mangësi të tjera në të njëjtin model çizmesh për mot të ftohtë.
Ndonëse baza e fortë industriale vendore e mbrojtjes është aset i rëndësishëm i sigurisë kombëtare, nuk duam ta gjejmë veten në një konflikt të madh duke qenë të paaftë për të prodhuar uniformat, këpucët dhe pajisjet që u duhen pjesëtarëve të forcave tona, vetëm sepse kapacitetet kritike të prodhimit janë zhvendosur jashtë vendit. Mbështetësit e Ligjit për Çizme [Boots Act] japin pikërisht këtë argument: mbështetja e tepërt te furnizuesit e huaj krijon dobësi të veta.
Por, ka edhe një anë tjetër të gatishmërisë që është e panegociueshme. Pajisjet duhet të funksionojnë për të mbrojtur sigurinë e trupave tona. Gjatë karrierës sime ushtarake kam mësuar se kushtet në terren, mijëra kilometra larg, pothuajse kurrë nuk përputhen me planet e bëra në shtëpi. Komandantët duhet të jenë në gjendje t’i përgjigjen mjedisit që kanë përpara, veçanërisht kur rrezikohen shëndeti dhe siguria e pjesëtarëve të forcave të tyre.
Kjo është pikërisht ajo që ndodhi në Norvegji. Kur çizmet amerikane për mot të ftohtë dështuan, forcat amerikane përdorën një mekanizëm të përcaktuar të Mbështetjes së Vendit Pritës për të siguruar këpucë të qasshme në vend. Marinsat mundën të vazhdonin stërvitjen me pajisje të përshtatshme për kushtet, në vend që të prisnin një dërgesë tjetër nga Shtetet e Bashkuara. Ky nuk është dështim i gatishmërisë amerikane. Fleksibiliteti është pjesë e gatishmërisë sonë.
Norvegjia ka kaluar breza të tërë duke e përgatitur ushtrinë e saj për të vepruar në të ftohtë ekstrem. Çizmet norvegjeze M77, të siguruara për disa marinsa, u zhvilluan dekada më parë së bashku me ushtrinë norvegjeze për mjedisin e tyre. Nëse një nga aleatët tanë të NATO-s ka pajisje të provuara, të projektuara për një mjedis të caktuar, komandantët duhet të kenë një rrugë të përshtatshme për t’i përdorur ato kur pajisjet amerikane nuk mund ta përmbushin kërkesën e menjëhershme operacionale.
Debati për Ligjin për Çizme e nxjerr edhe më qartë në pah këtë çështje. Legjislacioni do të kërkonte që çizmet opsionale të luftimit – që mbathin pjesëtarët e forcave të armatosura të ShBA-së – të prodhohen tërësisht në Shtetet e Bashkuara duke përdorur materiale me prejardhje amerikane. Mbështetësit e tij argumentojnë se kjo do ta forconte prodhimin vendas, do ta zvogëlonte varësinë nga zinxhirët e huaj të furnizimit dhe do të siguronte që Shtetet e Bashkuara të kenë kapacitetin industrial për ta furnizuar ushtrinë e tyre gjatë një konflikti të madh. Përvoja në Norvegji tregon pse kërkesat për burimin e furnizimit dhe kërkesat për performancën duhet të funksionojnë së bashku.
Pa asnjë dyshim, duhet të investojmë te prodhuesit amerikanë. Duhet të ndërtojmë kapacitetin vendas për të prodhuar pajisjet më të mira ushtarake në botë. Duhet të kemi standarde rigoroze për qëndrueshmërinë, sigurinë dhe performancën, veçanërisht për pajisjet e projektuara për mjedise ekstreme. Amerika duhet të përpiqet gjithmonë të ketë pajisjet më të mira dhe të vendosë standardet më të larta. Në të njëjtën kohë, duhet të ruajmë një fleksibilitet të mjaftueshëm operacional për të pranuar se asnjë zinxhir i vetëm furnizimi nuk mund të parashikojë çdo fushëbetejë, klimë apo mision.
Kongresi tashmë e ka njohur rëndësinë e performancës. Ligji aktual u kërkon degëve të ushtrisë të krijojnë procese për sigurimin e cilësisë së çizmeve të luftimit që trajtojnë qëndrueshmërinë, cilësinë, mjediset specifike operative dhe biomekanikën. Pjesëtarët amerikanë të forcave të armatosura duhet të kenë pajisjet më të mira në dispozicion për misionin që u kërkohet të kryejnë.
Nëse prodhuesit amerikanë mund t’i ofrojnë ato, duhet të jemi krenarë t’ua mbathim trupave amerikane çizmet e prodhuara në Amerikë. Nëse kapaciteti ose pajisjet vendase nuk mjaftojnë në një mjedis të specializuar, komandantët duhet të kenë një mënyrë të qartë dhe të përgjegjshme për të siguruar pajisje të provuara nga aleatët e besuar derisa ai boshllëk të plotësohet brenda vendit.
Ne u kërkojmë pjesëtarëve të forcave tona të veprojnë në shkretëtira, male, xhungla dhe në të ftohtin arktik. U kërkojmë të dislokohen në mbarë botën, shpesh me pak paralajmërim, dhe të veprojnë në kushte të cilat shumica e amerikanëve nuk do t’i përjetojnë kurrë.
Ata nuk duhet të detyrohen kurrë të pyesin veten nëse çizmet që kanë në këmbë mund t’i bëjnë ballë misionit. “Bli prodhime amerikane” duhet ta forcojë gatishmërinë ushtarake, por kurrë nuk duhet të bëhet në kurriz të gatishmërisë. /Telegrafi/