Shëndeti oral nuk duhet të trajtohet vetëm kur shfaqet dhimbja apo kur problemi ka avancuar deri në atë pikë sa kërkohet ndërhyrje kirurgjikale. Parandalimi, kujdesi i përditshëm dhe krijimi i shprehive të mira që në fëmijëri janë ndër faktorët kryesorë për ruajtjen e dhëmbëve.
Kështu ka theksuar stomatologu dhe kirurgu oral Berat Lenjani, i ftuar në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga Qendra Laserike e Syrit Kubati dhe United Hospital.
Ai ka folur gjerësisht për shëndetin oral, problemet më të shpeshta që hasin pacientët, kirurgjinë orale, infeksionet, dhëmbët e pjekurisë dhe rëndësinë e parandalimit.
Sipas Lenjanit, një nga problemet që vazhdon të mbetet shqetësues është fakti se pacientët shpesh paraqiten te profesionistët shëndetësorë vetëm pasi gjendja e dhëmbëve është përkeqësuar.
Ai tha se numri i pacientëve që kanë nevojë për trajtime të kirurgjisë orale në Kosovë është i lartë, ndërsa theksoi se zhvillimi më i madh i profilaksës do të mund të parandalonte që shumë raste të arrinin deri te ndërhyrjet më serioze.
Veçanërisht shqetësuese, sipas tij, janë rastet e të rinjve që në moshë shumë të hershme paraqiten me disa dhëmbë të dëmtuar.
“Më e dhimbshmja është kur të hyn në klinikë një pacient 15-16 vjeç dhe duhet t’i ndërhysh për t’ia shëruar ose larguar disa dhëmbë. Ajo është diçka shumë e rëndë”, tha Lenjani.
Ai shpjegoi se humbja e dhëmbëve në një moshë të tillë nuk përfundon vetëm me problemin estetik, pasi pacienti mund të përballet më vonë edhe me vështirësi në të folur, në ushqyerje dhe me pasoja të tjera funksionale.
“Armiku kryesor i dhëmbëve është moskujdesi”
Gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, Lenjani dha edhe një përgjigje të drejtpërdrejtë kur u pyet se cili është armiku kryesor i dhëmbëve.
“Armiku kryesor i dhëmbëve është moskujdesi. Dëgjoj si përgjigje sheqeri, kripa, kjo apo ajo – jo. Armiku më i madh është moskujdesi nga vetë pacienti”, u shpreh ai.
Sipas stomatologut, edukimi për shëndetin oral duhet të nisë që me dhëmbët e qumështit. Ai kundërshtoi idenë se këta dhëmbë mund të neglizhohen vetëm sepse më vonë zëvendësohen me dhëmbët e përhershëm.
Lenjani theksoi se pikërisht në këtë periudhë fëmija duhet të mësojë kulturën e kujdesit, disiplinën dhe mirëmbajtjen e rregullt të dhëmbëve.
Stomatologu foli edhe për një prej çështjeve që shpesh ngre dilema te pacientët – dhëmbët e pjekurisë.
Sipas tij, fakti që një person ka dhëmbë pjekurie nuk do të thotë automatikisht se ata duhet të hiqen.
“Heqja e dhëmbit të pjekurisë rekomandohet vetëm kur ai shkakton telashe. Në momentin që nuk shkakton telashe, nuk është e nevojshme të bëhet largimi i tij”, tha Lenjani.
Ai shpjegoi se ndërhyrja mund të jetë e nevojshme kur nuk ka hapësirë të mjaftueshme në nofull, kur dhëmbi shkakton infeksion të mishit përreth, dëmton dhëmbin fqinj apo kur paraqiten probleme të tjera të evidentuara gjatë ekzaminimit dhe imazherisë.
Lenjani paralajmëroi edhe për antibiotikët pa kontroll. Stomatologu ngriti shqetësimin edhe për përdorimin e antibiotikëve nga pacientët pa një vlerësim paraprak profesional. /Telegrafi/