Për një kohë të gjatë është konsideruar se shpejtësia prej 90 km/h është optimale për konsumin më të ulët të mundshëm të karburantit, por një studim tregon se pika më efikase është më afër 70 km/h.
Konsumi i karburantit nuk varet vetëm nga shpejtësia, por edhe nga mënyra se si funksionon motori, numri i rrotullimeve dhe marshi i zgjedhur. Në marshe të ulëta, motori punon me rrotullime më të larta dhe konsumon më shumë karburant.
Sipas studimit të qendrës franceze të njohurive Cerema, konsumi ndjek një kurbë asimetrike në formë U-je. Në shpejtësi të ulëta, nga rreth 10 deri në 40 km/h, konsumi është relativisht i lartë, ndërsa me rritjen e shpejtësisë ai gradualisht bie.
Konsumi më i ulët arrihet në rreth 70 km/h. Kjo konsiderohet pika e ekuilibrit mes efikasitetit të motorit, kohës së udhëtimit dhe rezistencës së ajrit.
Pas kësaj shpejtësie, avantazhi fillon të humbasë. Rezistenca e ajrit rritet ndjeshëm dhe, ndryshe nga shpejtësia, ajo rritet në mënyrë katrore. Kjo do të thotë se sa më shpejt të lëvizë vetura, aq më shumë energji nevojitet për të kapërcyer rezistencën e ajrit.
Për shembull, rritja e shpejtësisë nga 100 në 120 km/h mund të shkaktojë rreth 20 për qind më shumë konsum të karburantit. Efekti është edhe më i dukshëm te veturat elektrike, ku shpejtësia më e madhe nënkupton konsum më të lartë të energjisë dhe autonomi më të shkurtër.
Testet tregojnë se ndryshimi mes 110 dhe 130 km/h mund të nënkuptojë më shumë se një të katërtën konsum shtesë. Prandaj, edhe pse vozitja shumë ngadalë nuk është efikase, as shpejtësia e lartë nuk është ekonomike.
Në përfundim, sipas të dhënave të studimit, shpejtësia rreth 70 km/h ofron një ekuilibër më të mirë mes konsumit, efikasitetit të motorit dhe kohës së udhëtimit. /Telegrafi/