Bashkimi është fitues i Superkupës së Kosovës në basketboll, pasi në një finale spektakolare dhe dramatike mposhti Trepçën me rezultat 103:93, pas vazhdimeve.
Finalja në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec dhuroi pothuajse gjithçka që mund të kërkohet nga një ndeshje basketbolli.
Trepça e nisi më mirë dhe e fitoi çerekun e parë 24:22, ndërsa në të dytin ishte sërish më e mirë, 22:18, duke shkuar në pushim me epërsi 46:40.
Kur kishin mbetur më pak se tre minuta drejt fundit të pjesës së parë, pas tensioneve të krijuara në parket dhe hedhjes së mjeteve piroteknike nga tribunat, gjyqtarët dhe të dyja skuadrat u larguan nga fusha, ndërsa ndeshja u ndërpre përkohësisht. Palestra u zbrazë për të vazhduar ndeshja.
Bashkimi reagoi fuqishëm në pjesën e dytë. Skuadra prizrenase e fitoi çerekun e tretë 28:24 dhe të katërtin 19:17, duke e barazuar rezultatin dhe për ta dërguar ndeshjen në vazhdime pas një fundi të pabesueshëm.
Në fund të kohës së rregullt, kur kishin mbetur vetëm 1.6 sekonda, Shanon Shorter shënoi nga pothuajse 10 metra dhe i dha Bashkimit epërsinë 87:84.
Por Trepça nuk u dorëzua. Në aksionin e fundit, Dardan Kapiti realizoi një treshe spektakolare nga gjysma e fushës, duke e barazuar rezultatin në 87:87 dhe duke e çuar finalen në vazhdime.
Në pesë minutat shtesë, Bashkimi ishte dukshëm më i mirë dhe shënoi 16 pikë, kundrejt vetëm gjashtë të Trepçës. Kështu, rezultati përfundimtar ishte 103:93 dhe trofeu i Superkupës së Kosovës shkoi në duart e Bashkimit.
Shanon Shorter ishte një prej figurave kryesore të triumfit të Bashkimit. Ai e përfundoi ndeshjen me 22 pikë dhe 11 kërcime në 36 minuta e 46 sekonda lojë, ndërsa Adrio Bailey kontribuoi me 22 pikë dhe 11 kërcime në 25 minuta e 44 sekonda.
Te Trepça, Ja’Cori Payne ishte më efikasi me 19 pikë, tetë asistime dhe dy kërcime në 30 minuta e 39 sekonda. Megjithatë, paraqitja e tij nuk mjaftoi që skuadra mitrovicase ta siguronte trofeun. /Telegrafi/