Manchester City është shpallur fajtor nga një Komision i Pavarur për shkelje të rënda të rregulloreve financiare të Ligës Premier , pas një procesi që lidhet me një periudhë nëntëvjeçare.
Sipas vendimit të Komisionit, klubi ka shkelur rregulloret financiare të Ligës Premier dhe UEFA-s, ndërsa në disa raste dyshohet se ka përdorur marrëveshje të parregullta për të ulur kostot e raportuara.
Sipas gjetjeve të Komisionit, objektivi ishte që klubi të ulte kostot me më shumë se 900 milionë funte, apo rreth 1.05 miliardë euro, gjatë periudhës në fjalë.
Komisioni ka konstatuar gjithashtu se Manchester City kishte lidhur marrëveshje tregtare me disa sponsorë, në të cilat kompanitë paguanin vetëm një pjesë të shumës së sponsorizimit, ndërsa pjesa tjetër financohej nga Abu Dhabi United Group Investment & Development Ltd (ADUG), pronari i klubit.
Sipas vendimit, janë përdorur edhe marrëveshje të tjera për të bërë që shpenzimet operative të raportuara nga klubi të ishin më të ulëta sesa shpenzimet reale. Në këtë periudhë përfshihet edhe një marrëveshje me Fordham, entitet që kishte fituar të drejtat e imazhit të futbollistëve të Manchester Cityt dhe që, sipas Komisionit, ishte gjithashtu i financuar nga ADUG.
Gjatë kësaj periudhe, Manchester City shpenzoi rreth 1.44 miliardë euro në transferime, duke sjellë në klub një numër të madh futbollistësh që më vonë u shndërruan në figura kyçe të suksesit të skuadrës.
Transferimet më të spikatura
2009/10: Manchester City shpenzoi 147.3 milionë euro dhe arkëtoi 29.4 milionë euro nga shitjet. Ndër transferimet kryesore ishin Carlos Tevez (29 milionë euro), Emmanuel Adebayor (29 milionë euro) dhe Joleon Lescott (27.5 milionë euro).
2010/11: Shpenzimet arritën në 183.61 milionë euro, ndërsa të ardhurat nga shitjet ishin 40.15 milionë euro. Në klub u transferuan Edin Dzeko (37 milionë euro), Yaya Touré (30 milionë euro), Mario Balotelli (29.5 milionë euro) dhe David Silva (28.75 milionë euro).
2011/12: City shpenzoi 91.05 milionë euro dhe arkëtoi 31.45 milionë euro. Transferimet më të rëndësishme ishin Sergio Agüero (40 milionë euro) dhe Samir Nasri (27.5 milionë euro).
2012/13: Shpenzimet ishin 61.95 milionë euro, ndërsa të ardhurat 44.3 milionë euro. Transferimi kryesor ishte Javi García, për 20 milionë euro.
2013/14: Manchester City shpenzoi 115.5 milionë euro dhe arkëtoi 11.3 milionë euro. Në klub erdhën Fernandinho (40 milionë euro), Stevan Jovetić (26 milionë euro) dhe Álvaro Negredo (25 milionë euro).
2014/15: Shpenzimet arritën në 102.8 milionë euro, ndërsa të ardhurat në 30.3 milionë euro. Dy prej transferimeve kryesore ishin Eliaquim Mangala (45 milionë euro) dhe Wilfried Bony (32.3 milionë euro).
2015/16: City investoi 208.47 milionë euro në transferime, ndërsa arkëtoi 67.44 milionë euro nga shitjet. Kevin De Bruyne (76 milionë euro), Raheem Sterling (64 milionë euro) dhe Nicolás Otamendi (44.5 milionë euro) ishin ndër blerjet kryesore.
2016/17: Klubi shpenzoi 216.25 milionë euro dhe arkëtoi 35.35 milionë euro. John Stones (56 milionë euro), Leroy Sané (52 milionë euro), Gabriel Jesus (32 milionë euro) dhe İlkay Gündoğan (27 milionë euro) ishin disa nga transferimet kryesore.
2017/18: Shpenzimet arritën në 317.5 milionë euro, ndërsa të ardhurat nga shitjet në 91.35 milionë euro. Manchester City transferoi Aymeric Laporte (65 milionë euro), Benjamin Mendy (58 milionë euro), Kyle Walker (52.7 milionë euro), Bernardo Silva (50 milionë euro) dhe Ederson (40 milionë euro).
Këto investime sollën në Manchester një pjesë të madhe të futbollistëve që do të bëheshin protagonistë të një prej periudhave më të suksesshme në historinë e klubit. /Telegrafi/