Është marrë vendim që palestra në Rahovec të zbrazet pas incidenteve që shkaktuan ndërprerjen e finales së Superkupës së Kosovës në basketboll mes Trepçës dhe Bashkimit.
Pas tensioneve të krijuara në parket dhe hedhjes së mjeteve piroteknike nga tribunat, gjyqtarët dhe të dyja skuadrat u larguan nga fusha, ndërsa ndeshja u ndërpre përkohësisht.
Tani është vendosur që të gjithë të pranishmit në palestër të largohen nga tribuna, në mënyrë që të krijohen kushtet për vazhdimin eventual të ndeshjes.
Në momentin e ndërprerjes, Trepça ishte në epërsi 42:35 ndaj Bashkimit. Mitrovicasit e kishin fituar çerekun e parë 24:22, ndërsa në çerekun e dytë po avanconin 18:13, kur kishin mbetur edhe 2 minuta e 12 sekonda deri në fund.
Ende nuk është bërë e ditur nëse dhe kur do të rifillojë finalja, ndërsa vendimi për zbrazjen e palestrës është marrë pas situatës së krijuar pas një vendimi të gjyqtarit që shkaktoi protesta nga lojtarët, bankat dhe tifozët. /Telegrafi/