Bombarduesi strategjik rus Tu-95 u rrëzua më 29 shtator në një zonë të pabanuar të rajonit Amur, në lindje të Rusisë.
Si pasojë, gjashtë anëtarë të ekuipazhit humbën jetën, ndërsa një person arriti të mbijetojë.
Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, anëtari i mbijetuar i ekuipazhit është lënduar dhe është dërguar në spital për trajtim.
Aeroplani ishte në një fluturim të rregullt dhe nuk transportonte armë. Një delegacion ushtarak rus është dërguar në vendin e aksidentit për të hetuar shkaqet e rrëzimit.
Ky është një nga incidentet e fundit që kanë prekur forcat ajrore ruse. Në qershor të këtij viti, një bombardues Tu-22M3 u rrëzua gjatë një fluturimi stërvitor në rajonin e Irkutskut, në Siberi, por ekuipazhi arriti të katapultohej në mënyrë të sigurt.
Një aksident edhe më i rëndë ndodhi më 31 mars në Krime, kur një aeroplan transportues An-26 u përplas me një shkëmb, me shumë gjasë për shkak të një defekti teknik. Në atë incident humbën jetën 29 persona. /Telegrafi/