Komisioni Evropian po propozon një sërë mekanizmash mbrojtës për anëtarët e ardhshëm të Bashkimit Evropian, me qëllim parandalimin e përpjekjeve për dobësimin e strukturave demokratike ose bllokimin e vendimeve të rëndësishme përmes vetos.
Propozimet janë përfshirë në një draft-dokument, të cilin e ka parë Reuters.
Ndërsa Mali i Zi, Shqipëria, Ukraina dhe Moldavia po përparojnë në procesin e anëtarësimit, BE-ja po shqyrton pasojat e zgjerimit dhe nëse duhet të ndryshohen rregullat për pranimin e anëtarëve të rinj.
Në dokument thuhet se zgjerimi e forcon Evropën, por një numër më i madh i shteteve anëtare sjell edhe kërkesa më të mëdha për procesin e vendimmarrjes, administratën, zbatimin e politikave, infrastrukturën dhe financimin. Drafti ende mund të pësojë ndryshime dhe pritet të jetë pjesë e një pakete që Komisioni Evropian do ta prezantojë javën e ardhshme.
Një nga mekanizmat që po shqyrtohet është një zotim politik i përkohshëm, sipas të cilit një anëtar i ri do të deklaronte se, për një periudhë të kufizuar, nuk do t’i kundërshtonte vendimet e miratuara me konsensus.
Po ashtu, po shqyrtohet një klauzolë mbrojtëse që do t’u mundësonte shteteve ekzistuese anëtare, në periudhën pas anëtarësimit, të pezullojnë disa të drejta të anëtarit të ri, përfshirë edhe të drejtën e votës.
Për një vendim të tillë do të nevojitej shumicë e cilësuar prej 15 nga 27 shtetet anëtare, të cilat përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë së BE-së.
Komisioni po shqyrton gjithashtu mundësinë që traktatet e reja të anëtarësimit të përmbajnë masa mbrojtëse me afat të kufizuar në fusha si lëvizja e lirë e punëtorëve dhe bujqësia.
Ndërkohë, Komisioni Evropian ka bërë thirrje sërish që shtetet anëtare të lehtësojnë procesin e vendimmarrjes duke lejuar votimin me shumicë të cilësuar për çështje të caktuara, siç janë sanksionet. Kjo është një fushë ku Hungaria ka përdorur shpesh veton.
Dokumenti propozon gjithashtu një qasje më sistematike për integrimin gradual të vendeve kandidate në programet e BE-së edhe para anëtarësimit formal, veçanërisht në fushat e mbrojtjes, energjisë dhe transportit. /Telegrafi/