Motorola po përgatitet të hyjë në një tjetër segment të telefonave palosës me një model të ri me ekran të gjerë, ndërsa një rrjedhje e re ka zbuluar specifikat kryesore, përmasat dhe emrin e mundshëm të pajisjes.
Modeli pritet të quhet Razr Flex, të paktën sipas emërtimit që përdoret brenda kompanisë. Megjithatë, ende nuk është konfirmuar nëse ky do të jetë emri përfundimtar i telefonit. Kodi i brendshëm i pajisjes thuhet se është “Parker”.
Razr Flex do të ketë një ekran të brendshëm OLED 6.92-inç, me rezolucion 2364 x 1728 pikselë dhe një shpejtësi rifreskimi prej 165Hz, transmeton Telegrafi.
Në pjesën e jashtme do të ketë një ekran të dytë OLED prej 4.97 inçësh, me rezolucion 1140 x 1736 pikselë, duke e bërë pajisjen të përdorshme edhe kur është e palosur.
Në zemër të telefonit pritet të jetë procesori Snapdragon 8 Elite Gen 5, i shoqëruar me 12GB RAM dhe vetëm 256GB hapësirë të brendshme. Sipas rrjedhjes, Motorola nuk planifikon versione të tjera me kapacitete të ndryshme ruajtjeje.
Në pjesën e pasme, telefoni do të ketë një kamerë kryesore 50MP dhe një kamerë ultra-wide po 50MP.
Për selfie, Motorola thuhet se ka vendosur dy kamera 32MP, nga një për secilin ekran, duke eliminuar nevojën për të përdorur të njëjtën kamerë në konfigurime të ndryshme.
Bateria do të ketë kapacitet prej 5,000 mAh dhe do të mbështesë karikim wireless deri në 25W.
Pavarësisht përmasave dhe mekanizmit të palosjes, pajisja pritet të peshojë rreth 215 gramë.
Kur hapet plotësisht, Razr Flex do të ketë përmasa 110 x 149 x 5.8 mm, ndërsa në gjendje të palosur do të masë 110 x 76 x 12.6 mm.
Motorola pritet ta ofrojë telefonin në dy ngjyra të identifikuara nga Pantone si Coriander dhe Dark Botanical Garden. /Telegrafi/
Për sigurinë biometrike, skaneri i gjurmëve të gishtave do të jetë i integruar në butonin anësor të ndezjes.
Pajisja pritet të ketë gjithashtu certifikime IP48 dhe IP49, që ofrojnë mbrojtje ndaj pluhurit dhe ujit në nivele të caktuara.
Sipas të njëjtave informacione, Motorola Razr Flex do të dalë nga kutia me Android 17 dhe pritet të prezantohet në mesin e dhjetorit.
Ende nuk dihet çmimi, ndërsa Motorola nuk ka konfirmuar zyrtarisht të gjitha këto specifika. Megjithatë, rrjedhja e fundit sugjeron se kompania po përgatit një telefon palosës dukshëm më të gjerë, me fokus te ekrani i madh, performanca e lartë dhe përdorimi i dy ekraneve.