Kuvendi Komunal i Podujevës ka miratuar buxhetin e Komunës për vitin 2027, në vlerë prej 35,849,049 eurosh.
Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka bërë të ditur se ky është buxheti më i madh në historinë e kësaj komune.
Sipas Bulliqit, buxheti i miratuar parasheh vazhdimin e projekteve dhe investimeve në fusha të ndryshme, përfshirë arsimin, shëndetësinë, infrastrukturën, kulturën, sportin dhe zhvillimin ekonomik.
“Ky është buxhet i vazhdimësisë së zhvillimit dhe i transformimit të plotë të Podujevës. Është buxhet i projekteve të mëdha në arsim, shëndetësi, infrastrukturë, kulturë, sport, zhvillim ekonomik, etj.”, ka shkruar Bulliqi.
Ai ka falënderuar anëtarët e Kuvendit Komunal që votuan pro buxhetit për vitin e ardhshëm.
“Falënderoj anëtarët e Kuvendit që votuan pro këtij buxheti me të cilin qytetarët do ta ndiejnë edhe më shumë dorën e qeverisjes tonë!”, ka deklaruar Bulliqi. /Telegrafi/