Një balerin nigerian, Benjamin Daniel, i njohur si “Ben Dancer”, po tenton të vendosë një rekord të ri botëror duke kërcyer pa ndërprerje për shtatë ditë.
Sipas raportimeve, 33-vjeçari synon të arrijë 168 orë kërcim, duke tejkaluar rekordin aktual prej 127 orësh, të vendosur në vitin 2023 nga balerina indiane Srushti Sudhir Jagtap.
Përpjekja e tij po zhvillohet në Freedom Park në Lagos, ku të rinj të shumtë janë mbledhur për ta mbështetur dhe për të ndjekur performancën.
Gjatë maratonës, ai po interpreton me ritme të ndryshme, përfshirë Afrobeats, fuji, jazz dhe zouk, duke ndërthurur traditat nigeriane me kulturën moderne.
Guinness World Records ende nuk ka konfirmuar nëse kjo përpjekje do të njihet zyrtarisht si rekord botëror.
Nëse e përfundon me sukses, Ben Dancer do të synojë të shkruajë emrin e tij në historinë e rekordeve botërore të kërcimit. /Telegrafi/