Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski sot duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve lidhur me vlerësimet për lëvizjen e inflacionit tha se në muajin gusht ka shënuar rënie krahasuar me muajin korrik.
“Po shikoni, ne kemi dy muaj që na inkurajojnë, ato janë muaji korrik dhe gusht. Në korrik ishte 2,3%, në gusht ishte 2,6%, në kushte kur në Evropë në korrik ishte 2,9%, kurse në gusht 3,2%.
A ju kujtohet se para katër vjetëve, kur gjithashtu kishte krizë energjetike, atëherë na bindnin se inflacioni, i cili ishte dy herë më i lartë tek ne krahasim me atë në Bashkimin Evropian, qënka inflacion i importuar. Ja, ne treguam se kjo nuk është e vërtetë dhe se ato kanë qenë fushata të rreme. Se ka mundur niveli të jetë nën atë që e ka mesatarja evropiane, madje me një inflacion pothuajse dy herë më të ulët.
Tani do të përcjellim në shtator për të parë se si do të jetë. Muaji ende po zgjat, të presim që Enti Shtetëror i Statistikës të publikojë, e pastaj do të mund të komentojmë. Ne gjithashtu, natyrisht, për nevojat tona përmes Inspektoratit Shtetëror të Tregut bëjmë vlerësime të caktuara, veçanërisht për çmimet e produkteve ushqimore dhe pijeve joalkoolike. Këtu presim që në nivel vjetor ajo të lëvizë mes 1,5 dhe 2%, sipas vlerësimeve tona paraprake. Por të shohim se cila do të jetë shifra përfundimtare që do ta publikojë Enti Shtetëror për Statistikë”.
Kryeministri gjithashtu theksoi se qeveria ka investuar më shumë 90 milionë euro në fushën e arsimit.
“Sa i përket infrastrukturës arsimore, në këtë moment mund të them se Qeveria ka investuar më shumë se 90 milionë euro për këta 26-27 muaj. Prej të cilave gjysma janë drejtpërdrejt nga Ministria e Arsimit, në pjesën e konvikteve studentore. Ja, nesër një konvikt i tillë i ri, i rikonstruktuar, modern, bashkëkohor do të lëshohet në përdorim, ai është konvikti studentor „Stiv Naumov“. Shumë shpejt do të jetë edhe konvikti i dytë studentor „Kuzman“, por gjithashtu edhe të gjitha konviktet studentore dhe të nxënësve do të jenë, dhe tashmë ka filluar ky proces i rikonstruktimit dhe rinovimit të tyre. Diçka që nuk është bërë me dekada.
Ka shumë gjëra që duhet të bëhen. Prioritet pas prioriteti, një nga një, këto prioritete i zgjidhim. Dhe përafërsisht edhe 45 milionë euro përmes programit AA, përkatësisht përmes atij projekti të decentralizimit të mjeteve nga buxheti qendror drejt komunave, janë dedikuar për projekte në arsim, rikonstruim të shkollave fillore dhe të mesme”, shtoi ai./Telegrafi/