Përfundimi i shkollimit është një hap i rëndësishëm drejt tregut të punës, por sot diploma nuk mjafton gjithmonë për ta bërë një të ri të gatshëm për profesionin që synon.
Krahas njohurive akademike, bizneset kërkojnë gjithnjë e më shumë edhe shkathtësi praktike, njohuri konkrete për profesionin dhe aftësi për t’u përshtatur me kërkesat e punës.
Pikërisht për këtë u diskutua në bashkëbisedimin mes moderatores Fiona Xhema Troshupa dhe Melita Ymeragës nga kompania “Melita & Partners”, në episodin e parë të podcastit “Gati për Tregun e Punës”, në kuadër të projektit “Matching Skills to Jobs (MSJ)”.
Gjatë bisedës, Troshupa e hap një prej temave që lidhet drejtpërdrejt me përgatitjen e të rinjve për tregun e punës.
“Kur flasim për zhvillimin e aftësive profesionale në Kosovë, cili mendoni se është diskutimi që duhet me u bë më shumë?”, pyet Troshupa.
Për Ymeragën, fokusi nuk duhet të mbetet vetëm te marrja e diplomës, por edhe te zhvillimi paralel i shkathtësive që kërkohen në praktikë nga bizneset dhe profesionet e ndryshme.
“Diploma kemi mjaft. Secili i ri sot duhet të mendojë që krahas shkollimit akademik të fitojë edhe shkathtësi të cilat një biznes apo një profesion i kërkon. Jo të gjitha trajnimet janë me pagesë, jo të gjitha shkathtësitë ne i fitojmë duke ju përshtat një dinamike të një qendre të trajnimit. Ka mjaft mundësi paralel me qendrat e trajnimit, siç është kjo e jona, me marrë shkathtësi pa fare kosto, vetëm dedikim”, thotë Ymeraga.
Edhe të dhënat ndërkombëtare tregojnë se të mësuarit përtej arsimit formal mund të ketë rol të rëndësishëm në zhvillimin profesional.
Sipas OECD-së, 77 për qind e pjesëmarrësve në mësim joformal të lidhur me punën e vlerësojnë atë si shumë ose mesatarisht të dobishëm. Të dhënat e OECD-së tregojnë gjithashtu se pjesëmarrja në mësim dhe zhvillim të mëtejshëm profesional lidhet me paga mesatarisht 7 për qind më të larta, edhe pasi merren parasysh faktorë si arsimi, mosha dhe profesioni. OECD sqaron se kjo është një lidhje statistikore dhe nuk duhet interpretuar domosdoshmërisht si efekt i drejtpërdrejtë shkak-pasojë.
Kjo e bën edhe më të rëndësishme idenë që përgatitja për një profesion të mos nisë vetëm pasi të përfundojnë studimet. Krahas fakultetit, të rinjtë mund të zhvillojnë shkathtësi përmes trajnimeve, praktikës, burimeve online dhe formave të tjera të të mësuarit që lidhen drejtpërdrejt me punën që synojnë.
Dhe, siç thekson Ymeraga, jo çdo mundësi për zhvillim profesional kërkon domosdoshmërisht pagesë. Shpesh ajo që kërkohet është gatishmëria për të kërkuar, për të mësuar dhe për t’i kushtuar kohë zhvillimit të një aftësie të re.
Kjo na përcjell një mesazh të rëndësishëm: diploma është themeli, por shkathtësitë praktike janë ato që e ndërtojnë rrugën drejt tregut të punës.
“Matching Skills to Jobs” është projekt i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe i implementuar nga Swisscontact.
Biseda e plotë mes Fiona Xhema Troshupës dhe Melita Ymeragës mund të ndiqet në episodin e parë të podcastit “Gati për Tregun e Punës”, në kuadër të projektit “Matching Skills to Jobs”. /Telegrafi/