Irani ka mohuar çdo lidhje me pesë shtetasit britanikë të arrestuar pranë bazës ajrore RAF Fairford, duke i cilësuar pretendimet për një përfshirje të Teheranit si “spekulime të pabaza dhe dashakeqe”.
Ambasada iraniane në Londër reagoi të hënën pas arrestimeve të pesë personave gjatë fundjavës pranë bazës ajrore britanike, ku janë të stacionuar bombardues amerikanë.
Në një deklaratë të publikuar në platformën X, ambasada tha se “kategorikisht kundërshton dhe dënon fuqishëm” çdo përpjekje për të lidhur Iranin me arrestimet.
Sipas ambasadës, spekulimet e tilla shërbejnë vetëm për të “ushqyer propagandën iranofobe” në Britani, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, autoritetet britanike nuk kanë bërë ndonjë lidhje mes Iranit dhe pesë të arrestuarve.
Hetimi po drejtohet nga Policia Kundër Terrorizmit në Britani dhe vijon të jetë në zhvillim, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë disa pista hetimore.
RAF Fairford është një bazë ajrore britanike që përdoret nga Forcat Ajrore të SHBA-së dhe shërben si pikë operimi për bombarduesit amerikanë, të cilët kanë kryer edhe misione kundër Iranit.
Pesë të arrestuarit u liruan më pas me kusht nga policia, por drejtuesi i Policisë Kundër Terrorizmit, Laurence Taylor, theksoi se kjo nuk nënkupton përfundimin e hetimit.
Të dyshuarit mbeten nën hetim dhe i nënshtrohen kushteve të rrepta lidhur me lëvizjet dhe kontaktet e tyre. /Telegrafi/