Pavarësisht humbjes së rëndë 3-0 ndaj Irlandës, Ran Ben Shimon do të vazhdojë të jetë përzgjedhës i Izraelit. Mediat izraelite raportojnë se drejtuesit e Federatës së Futbollit të Izraelit nuk kanë ndërmend ta ndryshojnë atë dhe presin që ai ta drejtojë ekipin edhe në vazhdim të kampanjës së Ligës së Kombeve.
Mediumi Israel Hayom raporton se drejtuesit e federatës kanë vendosur që Ben Shimon ta përfundojë kampanjën aktuale dhe se pozita e tij nuk është vënë në diskutim pas humbjes ndaj Irlandës.
Sipas mediumit izraelit, plani është që ai të vazhdojë të jetë në krye të kombëtares edhe në kualifikimet për Euro 2028, përveç nëse situata sportive përkeqësohet ndjeshëm.
Edhe medumi tjetër Ynet raporton se Ben Shimon vazhdon të ketë mbështetjen e drejtuesve të federatës. Sipas këtij mediumi, drejtuesit presin një reagim të menjëhershëm nga kombëtarja pas dy humbjeve në dy ndeshjet e para të Ligës së Kombeve, ndërsa përballja e radhës ndaj Kosovës shihet si mundësia e parë për ta ndryshuar situatën.
Izraeli ndodhet aktualisht pa pikë, pas humbjeve ndaj Austrisë dhe Irlandës, ndërsa Kosova ka tri pikë pas fitores ndaj Irlandës dhe humbjes ndaj Austrisë.
Për këtë arsye, ndeshja e së enjtes në Debrecen ka rëndësi të veçantë për izraelitët, të cilët kanë nevojë për pikë për ta mbajtur gjallë objektivin e tyre në këtë grup.
Vetë Ben Shimon ka qenë i drejtpërdrejtë pas humbjes ndaj Irlandës. Ai ka pranuar se skuadra e nisi ndeshjen në mënyrë të dobët dhe ka marrë përgjegjësinë për paraqitjen, ndërsa më pas ka kërkuar që ekipi të reagojë në dy ndeshjet e ardhshme.
“Kemi dy raste për të përmirësuar gabimet, dhe ato do të jenë fitoret ndaj Kosovës të enjten dhe ndaj Irlandës më pas”, ka deklaruar Ben Shimon, duke e bërë të qartë se fitorja ndaj Kosovës është objektivi i parë i Izraelit pas krizës së rezultateve. /Telegrafi/