Danimarka pret që prania e shtuar ushtarake e NATO-s në Grenlandë dhe në gjithë rajonin e Arktikut të vazhdojë përtej dy viteve të ardhshme dhe, nëse është e mundur, të shndërrohet në një angazhim afatgjatë të Aleancës.
Ministri danez i Mbrojtjes, Jeppe Bruus, tha për Reuters në Bruksel se Kopenhaga është “mjaft pozitive” se rritja e pranisë ushtarake në Grenlandë dhe Arktik do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme.
Në qendër të kësaj qasjeje është Arctic Sentry, aktiviteti shumëdimensional i NATO-s i nisur në shkurt 2026 për të koordinuar stërvitjet, patrullimet dhe kapacitetet aleate në Arktik dhe në zonën e Lartë të Veriut. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se aktiviteti synon të forcojë mbrojtjen e rajonit përballë rritjes së aktivitetit të Rusisë dhe interesimit të Kinës.
Deklarata e Bruus vjen pak ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump, kryeministrja daneze Mette Frederiksen dhe kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen nënshkruan një marrëveshje të re sigurie në Nju Jork, transmeton Telegrafi.
Marrëveshja parashikon zgjerimin e pranisë ushtarake amerikane në Grenlandë, përfshirë dy baza të reja përtej bazës ekzistuese amerikane në Pituffik, ndërsa njëkohësisht i jep NATO-s një rol më të madh në sigurinë e Arktikut.
Sipas ministrit danez, një angazhim më i madh i NATO-s është veçanërisht i rëndësishëm për shkak të ndryshimeve klimatike, të cilat po shkrijnë akullin dhe po hapin gradualisht rrugë të reja detare në Arktik.
“Rritja e interesimit për Arktikun, edhe nga Rusia, Kina e të tjerë, kërkon që NATO të ketë një prani më të madhe në veriun e largët”, deklaroi Bruus.
Edhe udhëheqja e NATO-s e ka lidhur forcimin e pranisë në Arktik me ndryshimet strategjike në rajon. Mark Rutte ka argumentuar se hapja e rrugëve detare dhe aktiviteti në rritje i Rusisë dhe Kinës e bëjnë të nevojshme një qasje më të koordinuar të Aleancës.
Për Danimarkën, marrëveshja e re shënon gjithashtu një ndryshim të rëndësishëm pas muajsh tensionesh me administratën Trump, e shkaktuara nga kërkesa e presidentit amerikan për të marrë kontrollin e Grenlandës.
Marrëveshja e re nuk e ndryshon statusin e Grenlandës, por krijon një kornizë të re për praninë amerikane dhe përfshirjen e NATO-s në mbrojtjen e territorit strategjik, në një kohë kur Arktiku po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për sigurinë, transportin detar dhe konkurrencën gjeopolitike mes fuqive të mëdha. /Telegrafi/