Si në shumë profesione të tjera, edhe në kontabilitet inteligjenca artificiale po bëhet gjithnjë e më e pranishme. Ajo po merr përsipër një pjesë të proceseve rutinore dhe po ndryshon mënyrën se si kryhen detyrat e përditshme, duke hapur njëkohësisht diskutimin për rolin që do të ketë kontabilisti në të ardhmen.
Kjo temë ishte pjesë e bashkëbisedimit mes moderatores Fiona Xhema Troshupa dhe Melita Ymeragës nga kompania “Melita & Partners”, në episodin e parë të podcastit “Gati për Tregun e Punës”, në kuadër të projektit “Matching Skills to Jobs (MSJ)”.
Gjatë bisedës, Troshupa e ngre pikërisht dilemën që po shoqëron zhvillimin e shpejtë të inteligjencës artificiale: nëse ajo duhet parë si një mjet që e ndihmon profesionistin apo si konkurrencë për të në të ardhmen.
“Meqë jemi te inteligjenca artificiale, sot po flitet shumë që ajo mund t’i zëvendësojë disa profesione, pra është njëra prej frikërave më të mëdha të shumë bizneseve dhe kompanive. Por në kontabilitet, a e shihni më shumë si një ‘tool’ – një mjet ndihmës – apo si një konkurrencë në të ardhmen?”, pyet Troshupa.
Për Ymeragën, inteligjenca artificiale nuk nënkupton zëvendësimin e kontabilistëve, por një ndryshim në mënyrën se si ata do ta ushtrojnë profesionin, veçanërisht në detyrat rutinore.
“Unë mendoj që inteligjenca artificiale nuk ka me i zëvendësu kontabilistët, por ka me ju mundësu që punën rutinore me e kry teknologjia, ndërsa këta me u diferencu në treg si kontabilistë me AI”, thotë ajo.
Në këtë drejtim, njohuritë profesionale mbeten baza e profesionit, por aftësia për t’i kombinuar ato me përdorimin e teknologjisë po merr gjithnjë e më shumë rëndësi.
“Është një përparësi konkurruese sot kur dikush i di standardet, por e di edhe teknologjinë. Në fakt, teknologjia ka qenë gjithmonë pjesë e profesionit, por tash po theksohet edhe më shumë”, shton ajo.
Biseda tregon se ndryshimi që po sjell AI në kontabilitet lidhet më shumë me mënyrën e punës sesa me vetë ekzistencën e profesionit. Ndërsa teknologjia mund të kryejë një pjesë të detyrave rutinore, kontabilistëve u mbetet më shumë hapësirë për analizë, interpretim të të dhënave dhe punë që kërkon njohuri profesionale.
Diskutimi i plotë mes Fiona Xhema Troshupës dhe Melita Ymeragës mund të ndiqet në episodin e parë të podcastit “Gati për Tregun e Punës”, në kuadër të projektit “Matching Skills to Jobs”.
“Matching Skills to Jobs” është projekt i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe i implementuar nga Swisscontact.
Përmes bashkëpunimeve me kompani dhe organizata vendore, projekti mbështet iniciativa që afrojnë zhvillimin e aftësive me kërkesat e bizneseve dhe të tregut të punës. /Telegrafi/