KORREKT / SOT12 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Sport

Vajza e De Gaulleit zbuloi një anë tjetër të një njeriu të jashtëzakonshëm

Vajza e De Gaulleit zbuloi një anë tjetër të një njeriu të jashtëzakonshëm

Figura më e rëndësishme në historinë franceze të shekullit XX dhe unë kemi një lidhje: një fëmijë me sindromën Daun [Down]

Nga: Dominic Lawson / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Në një botë ku e parëndësishmja po e zëvendëson gjithnjë e më shumë thelbësoren, është inkurajuese të shohësh vëmendjen që po i kushtohet filmit pesorësh me dy pjesë, De Goli [De Gaulle], bazuar në biografinë e jashtëzakonshme prej 800 faqesh të Julian Jacksonit për figurën më të rëndësishme në historinë franceze të shekullit XX. Megjithatë, personi i cili, në disa mënyra, ishte më i rëndësishmi në jetën e De Gaulleit (pas gruas së tij, Yvonne), shfaqet vetëm kalimthi dhe nuk përmendet nga asnjë recensues. Ajo ishte Anne de Gaulle, më e vogla nga tre fëmijët e tyre. Kur lindi, më 1 janar 1928, de Gaulle i shkroi një miku: “Do ta quajmë Anne … ndoshta ajo do ta shohë vitin 2000”.

Vetëm pas shumë muajsh familja de Gaulle kuptoi se Anne kishte atë që sot e quajmë sindroma Daun (në atë kohë emërtohej “mongolizëm”). Ndryshe nga shumica e madhe e prindërve, të cilët në ato ditë do t’i dërgonin fëmijët e tillë në ato që në mënyrë eufemistike quheshin “shtëpi”, de Gaulleët ishin të përcaktuar që Anne të ishte anëtare me të drejta të plota e familjes së tyre.

Në biografinë e tij, Një ide për Francën [A Certain Idea of France], Jackson shkruan: “Anne nuk ishte kurrë në gjendje të shqiptonte më shumë se disa tinguj të paartikuluar … vetëm në moshën 10-vjeçare ishte në gjendje të hidhte hapat e saj të parë të pasigurt”. Ai përshkruan gjithashtu se si de Gaulle kishte një marrëdhënie jashtëzakonisht të afërt me të – e jashtëzakonshme në kuptimin se ajo nxirrte në pah tek ai diçka që askush tjetër nuk mundej: “Ky njeri çuditërisht i rreptë, i cili e kishte aq të vështirë të shprehte dashurinë, kalonte orë të tëra duke luajtur me Annen, duke i kënduar këngë, duke i treguar histori që ajo nuk mund t’i kuptonte”.

Lexo po ashtu:
– Fotografia e harruar e cila e rishkruan historinë e Luftës së Dytë Botërore
– Presidenti De Gaulle dhe faturat

Anne si fëmijë me të babanë e saj

Në vitin 1940, atë vit të tmerrshëm kur Franca ra përballë gjermanëve pushtues dhe de Gaulle iku në Britani – pasi kishte refuzuar ta pranonte armëpushimin me regjimin e Hitlerit – ai i tha kapelanit të tij ushtarak: “Më besoni, Anne është gëzimi dhe forca ime”. Edhe Yvonne kishte ikur në këtë vend me vajzën e tyre, megjithëse nëpërmjet një rruge tjetër. Anne ishte veçanërisht e kërcënuar: nazistët kishin një politikë të asgjësimit të personave me aftësi të kufizuara, si sindroma Daun, duke i konsideruar ata lebensunwertes Leben (“jetë të padenja për t’u jetuar”).

Meqë Jacksoni ishte konsultuar rregullisht nga Antonin Baudryn, regjisor i De Golit, i dërgova një imejl për ta pyetur nëse mendonte se rolit të Annes duhej t’i ishte dhënë më shumë rëndësi (siç kishte ndodhur në një film të mëparshëm francez të dramatizuar për de Gaullein, të publikuar në vitin 2020). Jacksoni u përgjigj: “Sinqerisht mendoj se një kineast, ashtu si një biograf, duhet të bëjë zgjedhje dhe të gjejë këndvështrimin e vet. Këndvështrimi i këtij filmi ishte de Gaullei heroik – fjala është e duhur – i viteve 1940 deri më 1944 … por, mendoj se është përvijuar mjaftueshëm nga kjo për të treguar humanitetin pas maskës – dhe Simon Abkarian [aktori që luan de Gaullein] kap diçka nga melankolia”.

Melankolia e de Gaulleit – në të vërtetë, kjo fjalë është krejtësisht e pamjaftueshme – nuk u shpreh kurrë më fuqishëm sesa kur Anne vdiq në krahët e tij, në moshën 20-vjeçare, më 6 shkurt 1948, nga pneumonia bronkiale. Në biografinë e tij, Jacksoni gjurmoi ditarin e priftit të famullisë vendase, ku gjendej ky shënim: “E gjeta Gjeneralin të përmbysur nga një pikëllim i tmerrshëm. Ai më tha: ‘Jam një njeri i shkatërruar’”.

Një tjetër biograf i tij shënon (ndonëse pa dhënë burim) se de Gaulle kishte thënë: “Pa Annen, ndoshta nuk do të kisha mundur kurrë të bëja atë që bëra. Ajo më dha zemër dhe frymëzim”. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.