Komuna e Obiliqit ka ndarë mbështetje për 33 prodhues të qumështit, për një sasi prej 535 mijë e 514 litrash qumësht të dorëzuar.
Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, ka bërë të ditur se ka nënshkruar urdhër-pagesën për përfituesit.
“Sot nënshkrova urdhër-pagesën për 33 përfitues, për një sasi prej 535,514 litrash qumësht të dorëzuar nga prodhuesit tanë”, ka shkruar Thaçi.
Ai ka thënë se kjo mbështetje synon fermerët që merren me prodhimtari dhe kontribuojnë në ekonominë familjare dhe atë të komunës.
“535,514 litra qumësht janë 535,514 dëshmi të punës dhe përkushtimit të fermerëve tanë”, ka deklaruar Thaçi.
Kryetari i Obiliqit ka theksuar se komuna do të vazhdojë mbështetjen për prodhuesit vendorë dhe sektorin e bujqësisë.
“Ne do të vazhdojmë të mbështesim prodhuesit vendorë dhe bujqësinë, sepse zhvillimi i Obiliqit ndërtohet edhe duke fuqizuar ata që prodhojnë”, ka shkruar ai. /Telegrafi/