Tensionet në ngushticën e Hormuzit po përshkallëzohen edhe nën sipërfaqen e ujit. Garda Revolucionare Islamike e Iranit pretendon se ka kapur një tjetër mjet autonom nënujor amerikan gjatë një misioni zbulimi, duke e identifikuar atë si REMUS 600.
Sipas marinës së Gardës Revolucionare, mjeti u interceptua pas një operacioni të koordinuar të inteligjencës dhe luftës elektronike. Irani thotë se REMUS 600 është dorëzuar te ekspertët ushtarakë për të nxjerrë dhe analizuar të dhënat e tij.
REMUS 600 përdoret nga Marina amerikane dhe nga disa vende anëtare të NATO-s. Mjeti është i pajisur me sensorë, kamera dhe sisteme të avancuara sonarësh dhe mund të përdoret për mbikëqyrje, hartëzim të shtratit të detit, operacione kundër minave dhe inspektime nënujore. Ai mund të operojë në thellësi deri në 600 metra.
Megjithatë, pretendimi iranian nuk është konfirmuar nga Uashingtoni. CENTCOM dhe Departamenti amerikan i Mbrojtjes nuk e kanë konfirmuar apo mohuar deri tani kapjen e mjetit.
Ky është pretendimi i dytë i Teheranit për kapjen e një pajisjeje nënujorë amerikane brenda pak ditësh, transmeton Telegrafi.
Të martën, Garda Revolucionare njoftoi se kishte interceptuar një tjetër mjet autonom nënujor, të identifikuar si Dive-LD, i prodhuar nga kompania amerikane e mbrojtjes Anduril. Sipas Iranit, ai u kap pranë hyrjes së ngushticës së Hormuzit. Edhe për këtë rast, Uashingtoni nuk ka dhënë ende një përgjigje publike.
Në deklaratën e fundit, Garda Revolucionare përsëriti gjithashtu qëndrimin e Teheranit se “ngushtica e Hormuzit është e mbyllur”, duke paralajmëruar se forcat iraniane do të përballen me çdo kalim të paautorizuar apo aktivitet ushtarak në këtë korridor strategjik.
Në kushte normale, Hormuzi është një nga rrugët detare më të rëndësishme në botë, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimit global me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm.
Përplasjet në këtë zonë janë shtuar ndjeshëm gjatë konflikteve të fundit rajonale, ndërsa Teherani ka pretenduar kontroll mbi ngushticën dhe ka paralajmëruar edhe vendosjen e tarifave për anijet që kalojnë nëpër të.
SHBA-ja dhe aleatët e saj e kanë kundërshtuar këtë qëndrim, ndërsa Uashingtoni ka vendosur gjithashtu kufizime ndaj aksesit në portet iraniane, duke e rritur më tej tensionin në një prej pikave më të ndjeshme të tregtisë globale të energjisë. /Telegrafi/