Bill Gates u ka bërë thirrje ligjvënësve federalë dhe autoriteteve të zbatimit të ligjit në SHBA që të rregullojnë zhvillimin e inteligjencës artificiale (AI).
Në një intervistë ai deklaroi se kjo teknologji, nëse lihet pa kontroll, mund të shkaktojë “një miliard vdekje” dhe se “askush nuk mendon se vetërregullimi është i mjaftueshëm”.
“Duhet që autoritetet e zbatimit të ligjit dhe politikanët të përfshihen në diskutimin se si duhet të duken masat mbrojtëse dhe monitorimi”, tha bashkëthemeluesi i Microsoft-it dhe filantropi për Kristen Welker, moderatoren e emisionit “Meet the Press” të NBC-së.
“Dhe kjo duhet të jetë një detyrim”, ka shtuar ai.
Në një pjesë tjetër të intervistës – fragmente të së cilës NBC i publikoi paraprakisht – Gates dha një paralajmërim të fortë, duke thënë se AI në duar të gabuara do të ishte “padyshim mjaft e fuqishme për të nxitur ngjarje që, siç e dini, mund të shkaktojnë një miliard vdekje”.
“Nuk ka pasur kurrë një armë aq të fuqishme sa kombinimi i njerëzve me qëllime të këqija që përdorin mjetet më të fundit të AI-së”, shtoi Gates, duke iu bashkuar paralajmërimeve të ngjashme të bëra së fundmi nga një sërë figurash të teknologjisë dhe politikës.
Ndryshe, Gates përgjithësisht konsiderohet si optimist për të ardhmen e njerëzimit.
Shumë prej atyre që raportuan apo komentuan bisedën e tij me Welker-in vunë në dukje se ajo erdhi pas një eseje prej gati 6,000 fjalësh, të cilën ai e publikoi në fund të gushtit, ku paralajmëronte për AI-në dhe rreziqet potencialisht vdekjeprurëse që ajo paraqet për njerëzimin në shkallë të gjerë.
Figura të tjera të shquara të teknologjisë, përfshirë Sam Altman dhe Elon Musk, i janë bashkuar Gates-it në thirrjen për të ngadalësuar zhvillimin e AI-së; disa ekspertë teorizojnë se ajo mund të çojë në shkatërrimin masiv të njerëzimit përmes armëve biologjike dhe luftës bërthamore, ndër metoda të tjera. /Telegrafi/