Drejtoria e Shëndetësisë e Kryeqytetit ka reaguar pas sulmit fizik ndaj një infermiereje të QKMF-së, e cila ishte duke ofruar shërbim shëndetësor në shtëpinë e një pacienti në lagjen Kalabria.
Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi, përmes një reagimi institucional ka dënuar sulmin, duke e cilësuar atë si të papranueshëm.
“E dënojmë fuqishëm këtë akt dhune ndaj punonjëses sonë shëndetësore. Sulmi ndaj profesionistëve që janë në detyrë për të ndihmuar dhe për t’u kujdesur për qytetarët është i papranueshëm dhe nuk do të tolerohet në asnjë rrethanë”, thuhet në reagimin e Drejtorisë së Shëndetësisë.
Sipas Gashit, rasti është raportuar dhe po trajtohet nga Policia e Kosovës dhe organet kompetente.
Drejtoria ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një rast të izoluar dhe se sulmi nuk do të ndikojë në ofrimin e shërbimeve shëndetësore në terren.
“Shërbimet në terren do të vazhdojnë normalisht, pa ndërprerje dhe me të njëjtin përkushtim ndaj çdo qytetari që ka nevojë për kujdes”, thuhet në reagim.
Ndërkohë, sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 26 shtator rreth orës 12:00 në rrugën “Pandeli Sotiri” në Prishtinë.
Infermierja, së bashku me ekipin mjekësor, kishte shkuar në shtëpinë e të dyshuarit për t’i ofruar tretman mjekësor.
Pas përfundimit të tretmanit, i dyshuari dyshohet se ka nisur një konflikt verbal dhe më pas e ka sulmuar fizikisht infermieren.
Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar, i cili ka udhëzuar që rasti të procedohet në procedurë të rregullt. /Telegrafi/