Spanja ka triumfuar në një superndeshje ndaj Anglisë në Ligën e Kombeve, duke e mposhtur me rezultat 3-2 pas një përballjeje spektakolare dhe plot emocione.
Spanja e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në epërsi që në minutën e dytë.
Lamine Yamal përfitoi nga një gabim i mbrojtjes angleze dhe, i qetë përballë portierit, e dërgoi topin në rrjetë për 0-1.
Anglia reagoi shpejt dhe në minutën e 36-të e barazoi rezultatin përmes Anthony Gordon, i cili pas asistimit të Jude Bellingham goditi fuqishëm në këndin e poshtëm (1-1).
Anglezët përmbysën gjithçka në minutën e 40-të. Nico O’Reilly dërgoi një top të bukur në zonë, ndërsa Harry Kane u shkëput në ajër dhe me kokë shënoi për 2-1.
Anglia shkoi në pushim me epërsi, ndonëse Spanja kishte rrezikuar edhe përmes Marc Cucurellas, goditja e të cilit përfundoi në shtyllë.
Në pjesën e dytë, Anglia pati mundësinë ideale për të shënuar edhe golin e tretë. Pas rishikimit të aksionit nga VAR-i, gjyqtari akordoi penallti në minutën e 52-të.
Mirëpo, Harry Kane dështoi nga pika e bardhë, duke goditur traversën dhe duke humbur mundësinë për ta çuar Anglinë në avantazh prej dy golash.
Spanja e shfrytëzoi këtë moment dhe vetëm tetë minuta më vonë barazoi rezultatin. Alex Baena pranoi topin nga Dani Olmo në hyrje të zonës dhe me një goditje të fuqishme e dërgoi topin në këndin e poshtëm për 2-2.
Pak çaste më vonë, Lamine Yamal pati mundësinë për përmbysje, por goditja e tij kaloi fare pranë shtyllës.
Goli i fitores për Spanjën erdhi në minutën e 74-t. Mikel Oyarzabal pranoi një pasim në zonë dhe, duke e vërejtur James Trafford jashtë vijës së portës, e ngriti topin mbi portierin anglez për një gol të bukur dhe për rezultatin 2-3.
Anglia provoi deri në fund të gjente barazimin, ndërsa pati edhe një pretendim për penallti pas rrëzimit të Bukayo Sakës në zonë, por gjyqtari vazhdoi lojën.
Në fund, Spanja e mbrojti epërsinë dhe mori një fitore të madhe në një ndeshje që dhuroi pesë gola dhe shumë raste. /Telegrafi/