Google ka filluar të shpërndajë një mjet të ri në aplikacionin Google Photos, i cili u mundëson përdoruesve të fshehin më lehtë informacionet sensitive në fotografi dhe pamje të ekranit.
Mjeti i ri, i quajtur “Redact”, është pjesë e seksionit të përditësuar “Markup” dhe mund të turbullojë ose pikselizojë pjesë të caktuara të një fotografie.
Kështu, përdoruesit mund të fshehin të dhëna si numrat e targave, adresat, numrat e llogarive apo emrat që shfaqen në fotografi dhe pamje të ekranit.
“Redact” po shpërndahet globalisht në versionin e Google Photos për pajisjet Android. Përveç këtij funksioni, përditësimi sjell edhe mundësi më të sakta për përcaktimin e trashësisë së lapsit dhe markerit, si dhe fonte të reja për tekstin.
Google ka shtuar gjithashtu funksionin “Moods”, i cili u mundëson përdoruesve t’u japin fotografive pamje të ndryshme, përfshirë efekte që imitojnë fotografitë e realizuara me kamera të vjetra ose aparate digjitale.
Me “Redact”, përdoruesit nuk kanë më nevojë të përdorin aplikacione të tjera për të fshehur informacionet private para se ta shpërndajnë një fotografi.
Megjithatë, pas aplikimit të funksionit, rekomandohet që fotografia të kontrollohet me kujdes për t’u siguruar se të gjitha të dhënat sensitive janë mbuluar plotësisht. /Telegrafi/