Presidenti kinez, Xi Jinping mori një pritje të jashtëzakonshme nga presidenti amerikan, Donald Trump gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara, por takimi nuk solli të gjitha rezultatet që Pekini kishte shpresuar.
Armëpushimi tregtar mes dy vendeve, i cili kishte ndalur përkohësisht përshkallëzimin e luftës së tarifave, u zgjat vetëm për disa muaj, nga nëntori deri në janar. Kina kishte shpresuar për një marrëveshje të paktën njëvjeçare, në mënyrë që Xi të kishte më shumë siguri gjatë pjesës së mbetur të mandatit të Trumpit.
Kjo nënkupton se çështjet kryesore mes dy fuqive, përfshirë tarifat, dominimin e Kinës në furnizimin me minerale të rralla dhe qasjen në çipat e avancuar amerikanë, do të vazhdojnë të negociohen.
Sipas analizës së BBC-së, Washingtoni duket se kërkon që Pekini të përmbushë më shumë nga detyrimet e tij përpara se të ofrojë lëshime afatgjata.
Një tjetër çështje e rëndësishme ishte Tajvani. Xi përsëriti qëndrimin e Kinës se shitjet amerikane të armëve për ishullin përbëjnë një vijë të kuqe.
Trump, ndërkohë, ende nuk ka dhënë një përgjigje publike ndaj kërkesës së Xi-së që SHBA-ja të mbështesë qëndrimin e Pekinit kundër pavarësisë së Tajvanit.
Dy liderët diskutuan edhe inteligjencën artificiale, por nuk u njoftuan marrëveshje të rëndësishme për sigurinë e kësaj teknologjie. Xi theksoi se AI duhet të mbetet gjithmonë nën kontrollin njerëzor.
Për Pekinin, një nga përfitimet kryesore të takimit ishte mënyra se si u paraqit vizita. Trump e priti personalisht Xi-n në aeroport dhe organizoi një ceremoni shtetërore dhe darkë në Shtëpinë e Bardhë.
Pamjet e pritjes u pritën pozitivisht në Kinë dhe ndihmuan në krijimin e imazhit të Xi-së si të barabartë me presidentin amerikan.
Në fund të vizitës u njoftua edhe rikthimi i diplomacisë së pandave, me dy panda që pritet të mbërrijnë së shpejti në Atlanta.
Megjithatë, pas ceremonive, dhuratave dhe deklaratave miqësore, BBC vlerëson se konkurrenca mes dy fuqive botërore mbetet e fortë. Për Xi-n, objektivi kryesor është forcimi i pozitës së Kinës si fuqi globale në nivel të barabartë me Shtetet e Bashkuara. /Telegrafi/