Kuvendi Komunal i Gjilanit, në mbledhjen e tetë të mbajtur të enjten, ka miratuar shtatë propozime të Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, të udhëhequr nga drejtoresha Eljesa Rashiti.
Në kuadër të seancës janë miratuar dy propozim-vendime për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pronave komunale të destinuara për ndërtim.
Sipas Komunës, në këmbim të shfrytëzimit të pronave, Komuna e Gjilanit do të përfitojë 30 për qind të hapësirës së ndërtimit që i takon pjesës së saj të pronës.
Po ashtu, Kuvendi ka miratuar propozim-vendimin për sigurimin e 5,575 metrave katrorë tokë në Lladovë, e cila do të përdoret për zgjerimin e varrezave të fshatit.
Për qëllime të mbrojtjes së natyrës, ripyllëzimit dhe rekreacionit, janë miratuar edhe tri propozim-vendime për shpalljen e interesit të ligjshëm publik për sigurimin e tokave në tri lokacione.
Bëhet fjalë për 7,032 metra katrorë në Zhegër, 2,142 metra katrorë në Lladovë dhe 1,162 metra katrorë në Stançiq.
Ndër vendimet e miratuara është edhe ndarja e dy hektarëve pronë komunale në Zhegër për ndërtimin e Muzeut dhe Kullës “Agim Ramadani”.
Sipas Komunës, ky projekt synon ruajtjen e kujtesës historike dhe nderimin e veprës së heroit Agim Ramadani.
Drejtoresha e Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Eljesa Rashiti, ka falënderuar stafin e drejtorisë për angazhimin, si dhe këshilltarët komunalë për mbështetjen e propozimeve.
Komuna ka vlerësuar se vendimet e miratuara synojnë shfrytëzimin e pronës komunale në funksion të zhvillimit të komunës, mbrojtjes së mjedisit dhe përmbushjes së nevojave të qytetarëve. /Telegrafi/