KORREKT / SOT12 tetor 2026
Botimi digjital / Kontakt
KORREKT PRESS

QARTË. ÇDO DITË.Lajmet që kanë rëndësi.

KORREKT PRESS / KËRKIM

Gjej lajmin që të intereson.

Shkruaj të paktën 2 shkronja për të kërkuar në titujt e lajmeve.

Rezultate gjatë shkrimit
Lajme

Jennifer Aniston tregon çfarë do të ndryshonte sot po të kthehej në të njëzetat

Jennifer Aniston tregon çfarë do të ndryshonte sot po të kthehej në të njëzetat

Për vite me radhë ishte e bindur se po bënte zgjedhjen e duhur për trupin e saj, derisa një ndryshim i rëndësishëm në jetë e detyroi ta rishikonte krejt mënyrën se si stërvitej

Prej dekadash konsiderohet një nga gratë më në formë dhe energjike të Hollywoodit, por Jennifer Aniston pranon hapur se qasja e saj e dikurshme ndaj stërvitjes mbështetej në një bindje të gabuar.

Aktorja ka treguar se një pjesë të madhe të të njëzetave dhe të tridhjetave e kaloi duke besuar se ushtrimet e gjata aerobike ishin mënyra më e sigurt për të ruajtur një trup të hollë, ndërsa stërvitjen me pesha e shmangte qëllimisht.

Në një intervistë për revistën Good Housekeeping, Aniston foli për një frikë që edhe sot e kanë shumë gra: mendonte se stërvitja e forcës do ta bënte trupin e saj tepër muskuloz.

“Po të mund të flisja sot me veten time më të re, do t’i thosha që më në fund t’i dëgjonte trajnerët që e bindnin se peshat nuk do ta shndërronin në një bodybuildere. Sikur ta kisha kuptuar që në të njëzetat dhe të tridhjetat se sa e rëndësishme është ndërtimi i masës muskulore! Sidomos me kalimin e viteve, sepse shumë gjëra në trup fillojnë të bien dhe duhet të dimë si t’i ruajmë”, ka thënë aktorja, transmeton Telegrafi.

getty images

Menopauza i ndryshoi mënyrën e stërvitjes

Kthesa e madhe në qasjen e saj ndaj aktivitetit fizik erdhi kur hyri në menopauzë dhe vuri re se trupi po i dërgonte sinjale që stërvitjet e mëparshme aerobike nuk po i adresonin më.

Me këshillën e profesionistëve, ajo nisi stërvitje funksionale me ngarkesë dhe rezistencë, përmes metodës Pvolve, të cilat angazhojnë edhe muskujt e vegjël stabilizues.

Rezultati, sipas saj, ishte befasues. Jo vetëm që nuk fitoi vëllimin muskulor nga i cili kishte pasur frikë, por ndjeu një forcë që më parë nuk e kishte përjetuar.

“Kur filloni t’i sfidoni muskujt në këtë mënyrë, ekziston një periudhë përshtatjeje që mund të duket e pazakontë. Mesazhi im për gratë është që ta kalojnë atë fazë fillestare. Trupit i duhet kohë të përshtatet dhe muskujt duhet të mësohen me një lloj të ri stimulimi”, shpjegon ajo.

Katër stërvitje në javë janë masa e saj ideale

Ylli i serialit Friends ka hequr dorë edhe nga një bindje tjetër: se çdo stërvitje duhet të zgjasë një orë dhe ta çojë trupin deri në rraskapitje.

Sot, për të, ritmi ideal janë katër stërvitje në javë nga 40 deri në 50 minuta, me fokus në forcimin e të gjithë trupit dhe jo vetëm në grupe të veçanta muskujsh.

Edhe kur ka pak kohë, nuk e lë domosdoshmërisht stërvitjen, por e përshtat me minutat që ka në dispozicion.

“Dikur isha e bindur se duhej të bëja 45 minuta ushtrime aerobike vetëm sepse mendoja se kështu duhej të dukej një stërvitje. Sa e mërzitshme! Sot, nëse i them trajneres se kam vetëm 20 minuta, ajo arrin të më bëjë një stërvitje të shkëlqyer brenda atij intervali dhe ndihem fantastikisht. Një stërvitje efikase mund të bëhet edhe për 10 minuta”, ka thënë Aniston.

Pjesa e trupit që gratë mbi 50 vjeç nuk duhet ta neglizhojnë

Kur u pyet se cilën pjesë të trupit do ta veçonte si veçanërisht të rëndësishme për gratë mbi të pesëdhjetat, Aniston përmendi menjëherë muskujt e trungut.

“Gjëja më e rëndësishme që duhet ta mbajmë të fortë është trungu. Ai është qendra e gravitetit dhe baza e gjithçkaje në trup”, shpjegon aktorja.

Fokusi te muskujt e trungut nuk lidhet vetëm me pamjen. Një trung i fortë ndihmon në stabilizimin e shtyllës kurrizore, në transmetimin e forcës ndërmjet pjesës së sipërme dhe asaj të poshtme të trupit, si dhe në ruajtjen e ekuilibrit dhe lëvizshmërisë me kalimin e viteve. /Telegrafi/

Lista jote

Lexo më vonë.

Artikujt e ruajtur në këtë pajisje.

Ende nuk ke ruajtur artikuj. Hap një lajm dhe shtyp “Ruaj”, për ta lexuar më vonë.