Komuna e Pejës ka njoftuar se sot është mbajtur seanca e rregullt e Kuvendit Komunal të Pejës. Në kuadër të seancës, asamblisti Labinot H. Panxha ka bërë të ditur se, në emër të Aleancës, ka propozuar që në rendin e ditës të përfshihet Deklarata e mospajtimit lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Sipas Panxhës, propozimi dhe deklarata “Jo në emrin tim” janë mbështetur unanimisht nga asamblistët e Kuvendit Komunal të Pejës.
Panxha ka deklaruar se përmes kësaj deklarate synohet të shprehët një qëndrim politik dhe qytetar lidhur me trajtimin e luftës së UÇK-së dhe sakrificës së luftëtarëve.
“Ne besojmë në drejtësi, në të vërtetën dhe në dinjitetin e atyre që luftuan për lirinë e Kosovës”, ka shkruar Panxha në një postim.
Ai e ka përmbyllur deklaratën me thirrjen: “Jo në emrin tim” dhe “Jo në emrin e qytetarëve të Pejës”.
Sipas faqes zyrtare të Komunës së Pejës, Kuvendi Komunal ka zhvilluar seancën e rregullt më 24 shtator 2026. /Telegrafi/