Besnik Lajçi, banor i Malajt të Rugovës, i është drejtuar me një kërkesë kryeministrit Albin Kurti për rregullimin dhe asfaltimin e rrugës “Ndrel Nika”, e cila lidh Drelajn me Malajn e Rugovës, raporton Telegrafi.
Në kërkesën e tij, Lajçi thotë se rruga është rreth gjashtë kilometra e gjatë dhe u shërben banorëve, pronave dhe objekteve të kësaj zone. Sipas tij, rreth dy kilometra të saj çojnë deri te amfiteatri në Drelaj.
Ai pretendon se prej rreth 12 vitesh u është drejtuar institucioneve kompetente për rregullimin dhe asfaltimin e kësaj rruge, por deri më tani nuk ka pasur një zgjidhje.
Lajçi ka theksuar se nuk kërkon trajtim të veçantë, por që rruga të shqyrtohet në bazë të kritereve të barabarta dhe transparente.
“Prej rreth 12 vjetësh kam kërkuar nga institucionet kompetente që kjo rrugë të rregullohet dhe të asfaltohet. Gjatë kësaj kohe janë realizuar punime në rrugë të tjera të Rugovës, ndërsa rruga ‘Ndrel Nika’ ka mbetur pa zgjidhje”, thuhet në kërkesë.
Në letrën drejtuar Kurtit, Lajçi ka përmendur edhe investimet që, sipas tij, i ka bërë ndër vite në Rugovë, përfshirë ndërtimin e një kompleksi memorial, hapësirave për nxënës, sigurimin e një minibusi për transportin e nxënësve, ndërtimin e një amfiteatri me kapacitet prej rreth 1,200 personash, një muzeu dhe objekteve tradicionale për zhvillimin e turizmit, shkruan Telegrafi.
Ai thotë gjithashtu se me mjete vetjake ka hapur rreth gjashtë kilometra rrugë në këtë zonë.
Lajçi ka kërkuar që institucionet të verifikojnë arsyet pse rruga “Ndrel Nika” nuk është asfaltuar, kriteret e përdorura për asfaltimin e rrugëve të tjera në Rugovë, si dhe nëse kjo rrugë është përfshirë në ndonjë plan, projekt apo ndarje buxhetore.
Po ashtu, ai kërkon të sqarohet nëse ekziston ndonjë pengesë ligjore, teknike apo administrative dhe cilat janë mundësitë konkrete për rregullimin e saj.
“Nuk dëshiroj konflikt me institucionet e Republikës së Kosovës. Dëshiroj vetëm që kjo çështje të dëgjohet dhe të shqyrtohet në mënyrë të drejtë, transparente dhe institucionale”, ka shkruar Lajçi.
Në fund të kërkesës, ai thotë se pas viteve të pritjes po shqyrton edhe mundësinë e një proteste paqësore, përfshirë grevën e urisë, por thekson se para çdo veprimi të tillë dëshiron që çështja të zgjidhet përmes dialogut dhe rrugëve institucionale. /Telegrafi/