nteligjenca artificiale po ndryshon gjithnjë e më shumë mënyrën se si funksionojnë bizneset, duke ndikuar në proceset e punës, zhvillimin e produkteve, rritjen e produktivitetit dhe automatizimin e proceseve.
Këto ishin disa nga temat e diskutuara në eventin “The Future of AI in Business”, të mbajtur më 23 shtator në HaPiTe Space në Prishtinë, ku morën pjesë themelues biznesesh, profesionistë dhe të interesuar për teknologjinë.
Gjatë diskutimit u trajtuan mundësitë dhe sfidat e integrimit të inteligjencës artificiale, si dhe mënyrat se si bizneset mund ta përdorin AI-në si mjet konkret për zhvillim dhe inovacion.
Gent Shala, themelues i G Academy, ka thënë se bizneset mund të fillojnë me përdorime të thjeshta të inteligjencës artificiale, veçanërisht në automatizimin e proceseve bazë dhe punëve administrative.
“Por realisht mendoj që është sadopak që mundemi me fillu me shfrytëzu për me kriju procese bazë. Me automatizu punë edhe pjesën e administrimit të punëve ose administratës, që i thojmë na”, ka thënë Shala.
Sipas tij, edhe automatizimi i një pjese relativisht të vogël të punëve mund t’u krijojë bizneseve më shumë hapësirë për t’u fokusuar në zhvillim, shitje dhe në pjesën njerëzore të aktivitetit.
“Me hekë dhjetë-njëzet për qind, është mjaftueshëm që me u fokusu te pjesa e zhvillimit të bizneseve, shitje, pjesa njerëzore e të tjera”, ka deklaruar ai.
Shala ka theksuar se ndikimi i AI-së tashmë shtrihet në shumë fusha të një biznesi, duke përfshirë rekrutimin, prodhimin e përmbajtjes, marketingun, komunikimin përmes e-mail-it dhe përgatitjen e prezantimeve.
“Po qysh e pamë edhe këtu gjatë diskutimit, AI s’ka sferë që s’po e prek në çdo biznes, qoftë në rekrutim, qoftë për prodhim të përmbajtjes, të marketingut, në e-mail, PowerPoint prezantime”, ka thënë Shala.
“Kështu që nuk pat ndonjë proces i cili AI s’ka me ndiku”, ka shtuar ai.
Në anën tjetër, Valon Canhasi nga Shkolla.AI ka vënë theksin te rëndësia e të dhënave dhe informatave që bizneset i kanë në dispozicion. Sipas tij, mënyra se si janë të strukturuara këto të dhëna është një prej elementeve kryesore për përdorimin efektiv të inteligjencës artificiale.
“Kryesorja është që informatat që ia jep ti inteligjencës artificiale fillimisht janë shumë më të rëndësishme”, ka thënë Canhasi.
Ai ka këshilluar bizneset që t’i strukturojnë mirë të dhënat dhe informacionet që lidhen me aktivitetin e tyre.
“Këshilla për biznese do të ishte sigurohuni që i keni të strukturuara të dhëna të mira, informatat për biznesin, klientin, produktin, shërbimin”, ka deklaruar Canhasi.
Sipas tij, një bazë e mirë e të dhënave i mundëson AI-së të përdoret në fusha të ndryshme të biznesit dhe të ndihmojë në zhvillimin e tij.
“Në mënyrë që AI me mujt me implementu dhe me prekë krejt fushat me të cilat merresh si biznes, për me e shty përpara”, ka thënë ai.
Ndërsa Andre Chapman, CEO i Agilyti, ka folur për një tjetër aspekt të përdorimit të inteligjencës artificiale, duke paralajmëruar se kompanitë mund të bëjnë gabime nëse nisen nga teknologjia pa e analizuar më parë problemin që duan ta zgjidhin.
“Gabimi i madh që dëgjoj vazhdimisht është zgjidhja e problemit të gabuar”, ka thënë Chapman.
Sipas tij, shumë njerëz nuk i analizojnë mjaftueshëm çështjet konkrete, por nisen nga ideja se inteligjenca artificiale mund të përdoret për gjithçka.
“Njerëzit nuk i analizojnë çështjet; thjesht mendojnë se IA vlen për gjithçka”, ka deklaruar ai.
Chapman ka paralajmëruar se kjo qasje mund t’i çojë kompanitë drejt krijimit të sistemeve të shtrenjta dhe joefikase.
“Pastaj krijojnë sisteme të shtrenjta, të cilat nuk mund t’i mirëmbajnë, nuk mund t’i menaxhojnë, nuk zgjerohen dhe nuk e bëjnë procesin më efikas”, ka thënë Chapman.
Ai ka folur edhe për rritjen e kostove që mund të shkaktohet nga përdorimi i një numri të madh të mjeteve të palëve të treta.
“Shumë kompani përfundojnë duke ndërtuar gjëra tepër të shtrenjta”, ka thënë ai.
“Kostot rriten shpejt kur përdoren shumë mjete të palëve të treta, sepse nuk dinë si të ndërtojnë gjërat me efikasitet që nga fillimi”, ka shtuar Chapman.
Sipas tij, kompanitë mund të përballen me rritje të papritura të shpenzimeve, pasi përdorin mjete për të cilat duhet të paguajnë dhe mbi të cilat nuk kanë kontroll të plotë.
“Pastaj kostot dalin jashtë kontrollit, sepse ato nuk menaxhohen prej tyre. Po përdorin mjete për të cilat duhet të paguajnë. Pastaj ato mjete mund t’i ndryshojnë kostot, dhe papritur paguajnë shumë më tepër për diçka që mendonin se do t’i ndihmonte të pakësonin stafin ose t’i bënte më efikasë”, ka thënë Chapman.
CEO i Agilyti ka ngritur gjithashtu çështjen e stafit dhe njohurive brenda kompanive, duke paralajmëruar se largimi i punonjësve me pritjen se AI do t’i zëvendësojë mund të krijojë probleme të tjera.
“Dhe kuptojnë shumë shpejt: i pushuam këta njerëz, sepse menduam se IA do të na ndihmonte në këto fusha; pastaj kuptuan se u duheshin njerëzit për t’i ndërtuar ato gjëra, ndaj duhet t’i punësojnë sërish dhe kanë humbur dijen”, ka thënë Chapman.
Diskutimi në HaPiTe Space nxori në pah se inteligjenca artificiale po krijon mundësi të reja për bizneset, por përdorimi i saj kërkon planifikim dhe përcaktim të qartë të problemeve që synohen të zgjidhen.
Përveç automatizimit të proceseve dhe rritjes së produktivitetit, ekspertët theksuan rëndësinë e të dhënave të strukturuara, kontrollit të kostove, ruajtjes së njohurive brenda kompanive dhe analizimit të nevojave konkrete përpara se të investohet në zgjidhje të bazuara në AI. /Telegrafi/