Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, së bashku me bashkëpunëtorë, zhvilloi një takim me ekspertët e lartë të Bankës Botërore, të udhëhequr nga Oya Pinar Ardic Alper, Specialiste e Lartë për Sektorin Financiar në Praktikën Globale për Gjithëpërfshirjen Financiare, të angazhuar në mbështetjen për hartimin e Strategjisë për Edukimin Financiar dhe Qëndrueshmërisë Financiare.
BQK njofton se kjo nismë zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit të dakorduar paraprakisht për përgatitjen e një dokumenti strategjik, i cili synon të kontribuojë në koordinimin dhe fuqizimin e iniciativave për edukim financiar, në përputhje me objektivat dhe angazhimet që dalin nga Plani Strategjik i BQK-së.
Guvernatori Ismaili falënderoi Bankën Botërore për mbështetjen e vazhdueshme dhe ekspertizën e ofruar në këtë proces, duke theksuar rëndësinë e një strategjie gjithëpërfshirëse që shkon përtej edukimit financiar tradicional dhe synon të trajtojë mirëqenien dhe shëndetin financiar në një kuptim më të gjerë.
Ai theksoi se kjo qasje përfshin jo vetëm rritjen e njohurive financiare, por edhe zhvillimin e praktikave të shëndosha financiare, kujdesin ndaj rreziqeve, përfshirë rreziqet kibernetike, si dhe fuqizimin e përdoruesve të shërbimeve financiare për të marrë vendime më të sigurta dhe më të informuara financiare.
Po ashtu, Guvernatori i BQK-së theksoi se ngritja e njohurive financiare përbën element të rëndësishëm për fuqizimin e konsumatorëve financiarë, rritjen e besimit në sektorin financiar dhe zhvillimin e një sistemi financiar më të qëndrueshëm, transparent dhe të qasshëm për të gjithë. Në këtë drejtim, strategjia pritet të jetë korniza e parë dhe kryesore për edukimin, shëndetin dhe mirëqenien financiare.
Ekspertët e Bankës Botërore vlerësuan rëndësinë e këtij procesi dhe bashkëpunimin me BQK-në në zhvillimin e strategjisë, duke theksuar nevojën për një proces konsultativ dhe gjithëpërfshirës që merr parasysh perspektivat dhe nevojat e institucioneve dhe grupeve të ndryshme të interesit.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, Banka Botërore po ofron asistencë teknike për hartimin e Strategjisë përmes fazës së dytë të Programit për Remitancat dhe Pagesat (Remittances and Payments Program), të financuar nga Sekretariati Shtetëror i Zvicrës për Çështje Ekonomike (SECO), për çka BQK shpreh falënderime të veçanta.
“Nën udhëheqjen e BQK-së, procesi i hartimit të Strategjisë do të zhvillohet përmes konsultimeve të gjera me institucionet publike, sektorin financiar, institucionet akademike, partnerët ndërkombëtarë dhe palët e tjera të interesit. Qëllimi është identifikimi i nevojave dhe prioriteteve në fushën e mirëqenies financiare, përcaktimi i mundësive për bashkëpunim dhe zhvillimi i iniciativave të përbashkëta. Procesi synon gjithashtu të sigurojë bashkërendim me strategjitë e tjera të sektorit, që pritet të vijojnë me strategjinë që lidhet me infrastrukturën, inovacionin dhe gjithëpërfshirjen financiare, si një qasje e plotë dhe e koordinuar për zhvillimin e ekosistemit financiar të vendit”, thuhet në njoftim.
Po ashtu bëhet e ditur se Strategjia e dakorduar është e para e këtij lloji dhe synon të shërbejë si kornizë për koordinimin dhe fuqizimin e përpjekjeve në këtë fushë, me fokus në rritjen e njohurive, aftësive, praktikave financiare të qytetarëve, bizneseve mikro dhe atyre të vogla, si dhe në mbështetjen e qasjes më të drejtë, më të sigurt dhe më gjithëpërfshirëse në shërbimet financiare.
Kjo nismë është pjesë e angazhimit të BQK-së për zbatimin e Planit Strategjik 2024-2028 dhe për fuqizimin e edukimit financiar në kuptim më të gjerë, që është në funksion të një sistemi financiar më të qëndrueshëm, besueshëm dhe transparent në Republikën e Kosovës.