Zvicra voton të dielën për një nismë që synon ta përkufizojë dhe forcojë neutralitetin tradicional të vendit në Kushtetutë, në një debat që ka nxjerrë në pah ndarjet e thella mbi atë se çfarë duhet të nënkuptojë neutraliteti zviceran në një botë me tensione të shtuara gjeopolitike.
Sondazhet e fundit sugjerojnë se shumica e votuesve pritet ta refuzojnë nismën. Dy sondazhet e publikuara javën e kaluar tregonin se më shumë se 60 për qind e qytetarëve ishin të prirur të ndiqnin qëndrimin e qeverisë dhe të votonin kundër.
Neutraliteti është një pjesë e rëndësishme e identitetit politik të Zvicrës, por lufta e Rusisë në Ukrainë ka rikthyer debatin mbi mënyrën se si duhet të sillet Berna ndaj konflikteve ndërkombëtare, transmeton Telegrafi.
Nisma u mbështet nga organizata sovraniste “Pro Switzerland”, e cila mblodhi firmat e nevojshme për ta çuar çështjen në referendum. Mbështetësit kundërshtojnë veçanërisht vendimin e Zvicrës për t’iu bashkuar sanksioneve ekonomike të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë.
Propozimi kërkon që neutraliteti zviceran të përcaktohet në Kushtetutë si “i armatosur dhe i përhershëm”. Ai do ta kufizonte afrimin e Zvicrës me NATO-n dhe do të ndalonte çdo aleancë ushtarake, përveç rastit kur vendi do të sulmohej.
Nisma do të kufizonte gjithashtu mundësinë e vendosjes së sanksioneve, duke lejuar masa të tilla vetëm kur ato kërkohen nga Kombet e Bashkuara.
Mbështetësit thonë se këto ndryshime do ta rikthenin qartësinë dhe kredibilitetin e neutralitetit zviceran. Ish-diplomati Jean-Daniel Ruch ka argumentuar se Zvicra ka mbajtur një qëndrim shumë të ashpër ndaj Rusisë, ndërsa sipas tij ka treguar më pak vendosmëri ndaj Izraelit.
Rusia e ka mbështetur publikisht nismën, pasi Moska ka kritikuar Zvicrën për pjesëmarrjen në sanksionet evropiane dhe e ka akuzuar Bernën se po largohet nga neutraliteti tradicional. Disa kundërshtarë të nismës e kanë cilësuar atë si “pro-ruse”.
Qeveria dhe parlamenti zviceran, megjithatë, janë kundër propozimit. Ata argumentojnë se një përkufizim kaq i ngurtë do t’ia kufizonte vendit hapësirën për manovrim në një periudhë kur situata ndërkombëtare po bëhet gjithnjë e më komplekse.
Ministri i Jashtëm, Ignazio Cassis, ka theksuar se neutraliteti zviceran është zbatuar historikisht me një shkallë fleksibiliteti dhe se neutraliteti nuk duhet të nënkuptojë indiferencë ndaj shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare.
Pothuajse të gjitha partitë kryesore politike e kundërshtojnë nismën. Përjashtim bën Partia Popullore Zvicerane, SVP, e krahut të djathtë populist, e cila e ka mbështetur atë që nga fillimi.
Mbështetësit e nismës paralajmërojnë se pa një përkufizim të qartë të neutralitetit, Zvicra mund të afrohet më shumë me NATO-n dhe të humbasë një pjesë të rolit të saj tradicional si ndërmjetëse dhe vend pritës për organizata e negociata ndërkombëtare.
Neutraliteti zviceran daton që nga viti 1516 dhe është njohur ndërkombëtarisht që nga viti 1815. Referendumi i së dielës pritet të përcaktojë nëse ky parim do të mbetet fleksibël në zbatimin e tij apo do të përfshihet në Kushtetutë me kufizime shumë më të qarta.
Në të njëjtën ditë, zviceranët pritet të votojnë edhe për një tjetër nismë, që kërkon rritjen e vetë-mjaftueshmërisë ushqimore të vendit nga 42 për qind, sa ishte në vitin 2024, në 70 për qind. /Telegrafi/