Një roje pylli e Departamentit Regjional të Agjencisë Pyjore të Kosovës (APK) në Ferizaj është sulmuar fizikisht gjatë kryerjes së detyrës zyrtare në Komunën e Shtimes.
Sipas njoftimit të APK-së, rasti ka ndodhur më 18 shtator 2026, në një pyll në pronësi shtetërore, ku roja kishte ndërhyrë pas konstatimit të një rasti të dyshuar të prerjes së kundërligjshme të masës drusore, raporton Telegrafi.
Gjatë kontrollit në terren, roja e pyllit ka hasur një person të dyshuar duke kryer prerje të kundërligjshme. Sipas APK-së, gjatë ndërmarrjes së veprimeve në kuadër të kompetencave zyrtare, ai është penguar dhe sulmuar fizikisht, duke pësuar lëndime të dukshme.
Rasti është raportuar menjëherë në Policinë e Kosovës, e cila ka intervenuar dhe ka marrë rastin në trajtim.
Personi i dyshuar është identifikuar dhe është proceduar nga organet kompetente, ndërsa nga roja e pyllit është përpiluar edhe fletëparaqitje për dëmin pyjor.
APK ka bërë të ditur se ngjarja është dokumentuar me fotografi, përfshirë dëmin e shkaktuar në pyll, masën drusore të prerë dhe lëndimet e pësuara nga roja.
Sipas Agjencisë Pyjore, ky është rasti i dytë brenda një periudhe të shkurtër në Regjionin e Ferizajt ku rojet e pyllit janë sulmuar gjatë kryerjes së detyrës. Më herët, një rast i ngjashëm ishte regjistruar edhe në Komunën e Ferizajt.
Departamenti Regjional i APK-së në Ferizaj ka dënuar çdo formë të pengimit dhe sulmit ndaj rojeve të pyllit gjatë ushtrimit të detyrës.
“Sulmet ndaj zyrtarëve në terren nuk do ta ndalin angazhimin për mbrojtjen e pyjeve dhe parandalimin e prerjeve dhe transportit të kundërligjshëm të masës drusore”, thuhet në njoftim.
Departamenti ka bërë të ditur se do të vazhdojë me rritjen e prezencës në terren, patrullimet dhe kontrollet, si dhe bashkëpunimin me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente. /Telegrafi/