Këngëtarja e njohur nga Drenica, Leonora Jakupi, është ngjitur sonte në skenën e protestës “Jo në emrin tim”, e cila po mbahet për të tetën natë radhazi në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Para protestuesve, Jakupi mbajti një fjalim ku bëri thirrje për bashkim të shqiptarëve, duke e lidhur mesazhin e saj me luftën dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Nga këtu të gjithë shqiptarëve ju bëj thirrje të bëhemi bashkë, ngado që jeni, për këtë kauzë, për këtë histori. Të jemi bashkë, a do jemi bashkë gjithmonë?”, tha Jakupi para të pranishmëve.
Ajo më pas iu referua UÇK-së dhe luftëtarëve të saj, duke kërkuar që, sipas saj, të mos harrohet sakrifica e tyre.
“Të mos e harrojmë vlerën tonë më të shtrenjtë, Ushtrinë tonë Çlirimtare dhe djemtë tanë më të mirë, të cilët kanë qenë ombrella jonë”, u shpreh këngëtarja.
Në përfundim të fjalimit, Jakupi e përsëriti dy herë thirrjen “UÇK!”, duke nxitur brohoritje nga turma e mbledhur në shesh.
Protesta “Jo në emrin tim” po vazhdon prej tetë netësh në Prishtinë, në kundërshtim me vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. /Telegrafi/