Ish-sulmuesi i kombëtares së Anglisë dhe ish-prezantuesi i BBC-së, Gary Lineker, ka zbuluar se kishte gjetur një justifikim për të shmangur takimin me Vladimir Putinin në Kremlin gjatë shortit për Kupën e Botës 2018 në Rusi.
Lineker, 65-vjeçar, tregoi në programin radiofonik “The Rest Is Football” se kishte refuzuar një ofertë për të punuar për FIFA-n pasi ishte ftuar të takohej me presidentin rus Vladimir Putin gjatë ceremonisë së shortit.
“Mendova: ‘Nuk dua ta bëj këtë’. Kështu që thjesht u thashë atyre: ‘Më vjen keq, kam shumë punë për të bërë me skenarin. Po përpiqem të përgatis gjithçka’”, rrëfeu Lineker.
Ky distancim nga FIFA, sipas tij, ka qenë një zgjedhje e vetëdijshme. Ish-futbollisti anglez, i cili ka zhvilluar 80 ndeshje me kombëtaren dhe ka shënuar 48 gola, tha se prej disa vitesh ka vendosur të mos ketë asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me organizatën.
“Para disa vitesh mora vendimin që të mos jem i lidhur me FIFA-n në asnjë mënyrë. Mendoj se është më mirë të mos ndikohem nga brenda. Kjo është arsyeja pse kam mbajtur qëllimisht distancën time, ndoshta që nga fillimi i kësaj dekade. Ishte një strategji e vetëdijshme”, tha ai.
Lineker kritikon jetëgjatësinë e Infantinos
Lineker komentoi gjithashtu edhe qëndrimin e gjatë të Gianni Infantinos në krye të FIFA-s. Infantino ka konfirmuar synimin për të kandiduar për një mandat të katërt në zgjedhjet presidenciale të FIFA-s në vitin 2027.
“Është absurde që një person mund të jetë president i FIFA-s për kaq shumë mandate radhazi”, deklaroi Lineker.
Ish-sulmuesi anglez foli edhe për mënyrën se si do të pritej sot Infantino nga tifozët në Mbretërinë e Bashkuar, nëse do të ndiqte një ndeshje atje.
“Do të kishte të paktën një valë fishkëllimash dhe disa brohoritje që mund të përfundonin me fjalën ‘idiot’”, tha Lineker. /Telegrafi/