Holanda rikthehet në Eurovision 2027, një vit pas tërheqjes për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit
Holanda do të rikthehet në Eurovision në vitin 2027, një vit pasi u tërhoq nga gara për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit.
Organizata holandeze e transmetuesve publikë, NPO, ka konfirmuar se vendi do të marrë pjesë me një përfaqësues të tijin. Përzgjedhja dhe mbështetja e artistit do t’i besohet një ekipi të pavarur ekspertësh.
Transmetuesi holandez AVROTROS u tërhoq nga Eurovision 2026 pasi Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) vendosi të lejojë pjesëmarrjen e Izraelit.
Në atë kohë, AVROTROS kishte bërë të qartë se nuk do të merrte pjesë për sa kohë Izraeli do të ishte pjesë e garës. Si arsye për vendimin, transmetuesi përmendi situatën humanitare në Gaza, kufizimet ndaj lirisë së medias dhe presionet politike gjatë edicionit të mëparshëm të Eurovisionit.
Pas këtij vendimi, AVROTROS ia riktheu përgjegjësinë për pjesëmarrjen e Holandës organizatës NPO, pasi kishte vendosur të mos rikthehej as në edicionin e vitit 2027.
Megjithatë, NPO ka zhvilluar ndërkohë bisedime me EBU-në dhe ka vlerësuar se janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm lidhur me rregullat e garës. Sipas organizatës holandeze, këto ndryshime janë pjesërisht rezultat i presionit të transmetuesve publikë që kanë kritikuar mënyrën se si është zhvilluar gara.
NPO, e cila koordinon sistemin holandez të transmetimit publik, ka zhvilluar diskutime me EBU-në për të ardhmen e konkursit.
Sipas drejtuesve të NPO-së, është arritur një marrëveshje që në qendër të Eurovisionit të rikthehet qëllimi fillestar i konkursit: bashkimi përmes muzikës.
“Jemi plotësisht të vetëdijshëm për ndjenjat e ndara që pjesëmarrja në Eurovision shkakton në Holandë. I kemi kërkuar në mënyrë të qartë EBU-së që karakteri bashkues i konkursit të rikthehet në qendër të këtij eventi. Besojmë se kjo është e domosdoshme në një kohë të trazirave gjeopolitike, luftërave dhe polarizimit”, ka thënë presidentja e bordit të NPO-së, Jet de Ranitz.
“Ne kërkojmë sërish këtë lidhje. Kjo nuk do të thotë se po injorojmë atë që po ndodh në botë, por po krijojmë hapësirë për dialog rreth saj. Si transmetues publik holandez, duam të jemi sërish pjesë e Eurovisionit për të ndihmuar në formësimin e këtij drejtimi. Në këtë mënyrë mund ta jetojmë së bashku vërtet moton ‘United by Music’”, ka shtuar ajo.
Nga viti 2027, përgjegjësia për këngën holandeze dhe mbulimin mediatik të konkursit do të ndahen.
Pjesëmarrja e Holandës do të jetë një projekt i përbashkët i transmetuesve publikë, nën koordinimin e NPO-së, ndërsa për përzgjedhjen dhe mbështetjen e artistit do të krijohet një ekip i pavarur.
Ndërkohë, transmetuesi publik NOS, i cili është përgjegjës për lajmet dhe transmetimet e ngjarjeve të mëdha, do të përgatisë emisionet hyrëse, do të raportojë nga terreni dhe do të sigurojë komentatorët.
Meqë NOS nuk do të jetë përgjegjës për përzgjedhjen e këngës, ai do të mund të raportojë në mënyrë të pavarur për Eurovisionin.
Jurre Bosman, drejtor i medias në NPO, ka shpjeguar se vendimi për rikthimin në garë lidhet edhe me dëshirën e publikut holandez.
“Është e rëndësishme që si transmetues publik të mbetemi pjesë e këtij eventi evropian bashkues, veçanërisht tani që po ndërmerren hapa seriozë drejt një formati që pasqyron më mirë kohën në të cilën jetojmë. Në këtë mënyrë u përgjigjemi edhe dëshirave të qindra mijëra fansave holandezë të Eurovisionit dhe, në fund të fundit, kjo është detyra jonë”, ka thënë Bosman.
Emri i përfaqësuesit holandez për Eurovision 2027 do të bëhet i ditur në një moment të mëvonshëm.
Unioni Evropian i Transmetuesve ka mirëpritur vendimin e Holandës për t’u rikthyer në konkurs.
“Jemi jashtëzakonisht të lumtur që mund të mirëpresim rikthimin e Holandës në Eurovision 2027. E vlerësojmë dialogun konstruktiv që kemi zhvilluar me NPO-në dhe mezi presim të bashkëpunojmë për forcimin e konkursit, në mënyrë që ai të pasqyrojë vërtet frymën e motos ‘United by Music’”, ka deklaruar Martin Green, drejtori ekzekutiv i Eurovisionit.
Ai ka theksuar se qëllimi për të cilin u krijua Eurovisioni mbetet po aq i rëndësishëm edhe sot.
“Në një botë gjithnjë e më të ndarë, Eurovisioni ofron një hapësirë unike ku njerëzit dhe vendet lidhen përmes muzikës. Jemi të lumtur që Holanda po i bashkohet sërish familjes së Eurovisionit në skenën e Burgasit majin e ardhshëm”, ka thënë Green.
Holanda është një prej vendeve me historinë më të suksesshme në Eurovision.
Që prej debutimit në vitin 1956, vendi ka marrë pjesë 65 herë dhe ka fituar pesë edicione: në vitin 1957 me Corry Brokken, më 1959 me Teddy Scholten, më 1969 me Lenny Kuhr, më 1975 me grupin Teach-In dhe më 2019 me Duncan Laurence.
Holanda ka përfunduar pesë herë në vendin e fundit.
Që nga prezantimi i gjysmëfinaleve në vitin 2004, vendi është kualifikuar 11 herë në finale, por ka marrë pjesë vetëm në 10 finale, pasi në vitin 2024 u skualifikua. /Telegrafi/