Për të tetën natë radhazi, protesta “Jo në emrin tim” do të mbahet sonte në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke nisur nga ora 21:00.
Në mesin e figurave që do t’u drejtohen protestuesve sonte është edhe këngëtari i njohur kosovar, Ylli Limani, i cili do të mbajë një fjalim para të pranishmëve.
Përveç Limanit, në protestën e sontme pritet të flasin edhe këngëtarja Leonora Jakupi, gazetari dhe veterani i luftës çlirimtare, Resul Sinani, si dhe organizatori i protestës, Çlirim Haziri.
Në program janë përfshirë edhe studentet Aolta Bajrami dhe Alma Ramaj, si dhe aktivisti Arianit Elshani, të cilët do t’u drejtohen qytetarëve të mbledhur në shesh.
Protesta “Jo në emrin tim” është organizuar në kundërshtim me vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Organizatorët kanë vijuar me tubimet e përditshme në Prishtinë, duke shprehur qëndrimet e tyre lidhur me aktgjykimin dhe procesin gjyqësor në Hagë.
Mbrëmja e tetë e protestës do të shoqërohet kështu me fjalime të figurave nga fusha e artit, gazetarisë, aktivizmit dhe shoqërisë civile. /Telegrafi/