Një shtetase gjermane ka shkuar në Komisariatin e Policisë Nr. 1 në Tiranë, të mërkurën, për të falënderuar policët që i gjetën sendet personale dhe arrestuan të dyshuarin për vjedhjen e çantës së saj.
50-vjeçarja T. K. shprehu mirënjohje për reagimin e shpejtë të efektivëve.
Ajo ishte kërcënuar me thikë pranë Liqenit Artificial në Tiranë, të martën. Një person dyshohet se ia mori me dhunë çantën me sende personale.
Pas denoncimit, policia nisi operacionin e koduar “Reaction”. Gjatë tij u identifikua dhe u ndalua J. S., 41 vjeç, banues në Tiranë, i dyshuar për vjedhjen.
Pos që u bë e ditur që sendet e gjetura iu kthyen 50-vjeçares, policia njoftoi se materialet e rastit i janë dërguar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.