Presidenti i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, pritet t’i drejtohet sot Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në ditën e dytë të punimeve, ndërsa vendi përballet me një krizë të rëndë ekonomike dhe me tensione në rritje në jug.
Fjalimi, i planifikuar për orën 14:00 sipas kohës së Britanisë së Madhe, do të jetë vetëm i dyti i Al-Sharaa në OKB që prej kalimit të tij nga një ish-komandant xhihadist me lidhje të mëparshme me Al-Kaedën, në drejtues të shtetit sirian.
Al-Sharaa mori drejtimin e Sirisë pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assadit dhe tani synon që përparimet diplomatike të arritura gjatë muajve të fundit të shndërrohen në rezultate konkrete për vendin, transmeton Telegrafi.
Por në terren, situata mbetet e tensionuar. Kombet e Bashkuara kanë raportuar për operacione ushtarake izraelite në jug të Sirisë, përfshirë inkursione të përsëritura, patrullime dhe bastisje.
Në dallim nga qeveritë e mëparshme siriane, administrata e Al-Sharaa ka pranuar të angazhohet në bisedime me Izraelin, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, deri tani këto negociata nuk kanë sjellë një marrëveshje të re për çështjet e sigurisë.
Fjalimi i Al-Sharaa në OKB pritet të fokusohet pikërisht te sfidat e reja të Sirisë, marrëdhëniet me fqinjët dhe përpjekjet për të konsoliduar pozicionin e vendit në skenën ndërkombëtare. /Telegrafi/